Përplasi për vdekje 7-vjeçarin në derën e shkollës, shoqërohet në polici regjisori Petri Bozo

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari ndodhi mëngjesin e sotëm në Mengël të Elbasanit. Burime nga policia bëjnë me dije se fëmija është përplasur pranë shkollës ku ai studionte.
Shkaktar i aksidentit dyshohet regjisori dhe producenti Petri Bozo, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime.
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin Petri Bozo, 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme,” njofton policia.
Një nga dëshmitarët e ngjarje ka deklaruar për mediat, se autori pretendonte se ka qenë duke lëvizur me vetëm 10 kilometra në orë.
“Ai tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha; jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h”, sqaroi banori i zonës, ndërsa shton se rruga është bërë shumë e rrezikshme në këtë lagje dhe se edhe më parë kanë ndodhur aksidente.


