Përshtati apartamentin e saj si call center, për të mashtruar shtetas të huaj, arrestohet 25-vjeçarja në Tiranë

Aktualitet

Përshtati apartamentin e saj si call center, për të mashtruar

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar “Adapted”, duke vënë në pranga një 25-vjeçare të dyshuar për mashtrime me investime fiktive në bursa ndaj shtetasve të huaj.

Sipas Policisë, shtetasja M. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, kishte përshtatur një apartament në rrugën “Tish Daija” si call center, nga ku dyshohet se kryente aktivitetin e paligjshëm të mashtrimit përmes skemave të rreme të investimeve.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Gjatë ndërhyrjes në ambientet e apartamentit, Policia sekuestroi 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë si dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

ME TE LEXUARAT