Raporti i IKMT për 2025/ 447 ndërtime pa leje u prishën, 130 në Theth

Prishja e ndërtimeve pa leje në zonën turistike të Thethit ishte kryefjala e korrikut të vitit të shkuar, që solli përplasje të dhunshme të banorëve të zonës me policinë, IMT-në e bashkisë Shkodër dhe Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Përveç kësaj, nisma për të heqjen e shtesave të lokaleve që prej vitesh zaptonin trotuaret, shënjoi thuajse të gjithë sezonin turistik. Në raportin vjetor të Ministrisë së Brendshme për IKMT-në, preken në veçanti zonat malore ku institucioni ishte në mbështetje të IMT-ve të bashkive për shembjen e ndërtimeve pa leje. Ndër to, në parkun Kombëtar të Thethit u prishën 130 ndërtime pa leje, 26 në zonën e Tropojës, dhe 18 të tjera në Himarë. Tabelë…
IKMT NË MBËSHTETJE TË IMT
Theth 130 ndërtime
Tropojë 26 ndërtime
Himarë 18 ndërtime
Ndërkohë, për vitin që lamë pas, vetë IKMT në bazë të ligjit dhe inspektimeve të kryera në terren, ka ndërhyrë në të gjithë vendin për prishjen e 447 ndërtimeve që kanë qenë në kundërshtim me ligjin ose që janë shpronësuar. Po ashtu janë edhe 297 vendime të tjera për prishje në pritje të ekzekutimit, ndërsa për 232 subjekte të tjera është vendosur gjobë për ndërtimin e tyre pa leje. Tabelë...
VENDIME PËR NDËRTIMET PA LEJE
Ndërtime të prishura 447
Vendim prishje 297
Gjobë, ndërtime pa leje 232
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përveç inspektimeve të realizuara në territor, në përputhje me fushën e përgjegjësisë, ka ndërmarrë veprime konkrete edhe në kuadër të zbatimit të projekteve madhore të qeverisë, të cilat janë kryer në bashkëpunim me strukturat e tjera ligjzbatuese, kryesisht Policinë e Shtetit.
Në veçanti raporti ndanë 4 projekte të rëndësishme madhore, i cili përfshinë Unazën e Madhe të Tiranës, në disa lote të ndryshme të saj, ku u prishën në total 6 objekte të shpronësuara. Për rikualifikimin e hyrjes së Shkodrës u prishën nga IKMT si të shpronësuar, 20 objekte. 30 të tjera u prishën në Vlorë për lidhjen e rrugës Transballkanike me Portin e Vlorës dhe për projektin Lungomare 3 dhe 4, kryesisht në vijën bregdetare Vlorë-Orikum. IKMT prishi edhe 25 objekte të tjera në rrugën Elbasan-Librazhd- Qafë Thanë, pjesë të Korridorit 8. Tabelë...
PRISHJE NË PROJEKTE STRATEGJIKE
Unaza e Madhe e Tiranës 6 objekte
Hyrja e Shkodrës 20 objekte
Vlorë dhe Lungomare 30 objekte
Korridori 8 25 objekte
IKMT ndërhyri edhe në bregdet, duke prishur në total 106 objekte pa leje, 22 më shumë se në vitin 2024. Pjesa më e madhe e tyre në vijën e Kepit të Rodonit, 67 në total, ndjekur nga 20 prishjet në Palasë, Dhërmi dhe Jalë, 10 në vijën e Vlorës, 3 në Ksamil dhe nga 2 në Shëngjin, Shirokë dhe Velipojë. Tabelë…
PRISHJET NË BREGDET
Kepi i Rodonit 67 objekte
Vlorë 10 objekte
Ksamil 3 objekte
Palasë, Dhërmi, Jalë 20 objekte
Shëngjin 2 objekte
Shirokë 2 objekte
Velipojë 2 objekte
Nga totali i të gjitha llojeve të inspektimeve, 7306 gjithsej, më shumë se gjysma e tyre, 3882 inspektime janë në fushën e ndërtimeve. Më pas vijnë inspektimet për mjedisin, pyjet e më gjerë./Shqiptarja


