Rekord në Tiranë/ Për 48 orë mbi 5 mijë gjoba, 3 shoferë tentuan të korruptonin policët

Aktualitet

Rekord në Tiranë/ Për 48 orë mbi 5 mijë gjoba, 3
Policia Rrugore e Tiranës vijon me kontrollet në të gjitha akset e kryeqytetit. Gjatë 48 orëve të fundit janë vendosur 5444 gjoba për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.


Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohen 13 shoferë, 10 prej tyre për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa patentë dhe për tre të tjerë që tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë.


Rrugorja bën me dije se janë bllokuar 18 automjete dhe kanë pezulluar edhe 13 leje qarkullimi.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës vijojnë kontrollet intensive në të gjitha akset e kryeqytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Si rezultat i monitorimit të vazhdueshëm, me pajisje teknologjike bashkëkohore dhe me shërbime të shtuara në terren, gjatë 48 orëve të fundit:

janë proceduar penalisht 10 shtetas, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi;

janë proceduar penalisht 3 shtetas që tentuan të korruptonin punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative për drejtim të automjeteve në efektin e alkoolit ose duke përdorur celularin;

janë bllokuar 18 automjete dhe janë tërhequr 13 leje qarkullimi;

janë vendosur 5444 masa administrative, për shkelje të ndryshme.

Policia Rrugore thekson sërish se mosrespektimi i shpejtësisë së lejuar në qarkullim, drejtimi i automjetit në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi dhe përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, përbëjnë rreziqe serioze për aksidente me pasoja për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Çdo rast i këtyre shkeljeve dhe i shkeljeve të normave të tjera të Kodit Rrugor, i konstatuar gjatë patrullimit dhe monitorimit me mjete inteligjente bashkëkohore, do të ndëshkohet administrativisht dhe penalisht, konform ligjeve në fuqi.

Gjithashtu, çdo tentativë për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e përgjegjësive, do të pasohet me procedim penal, si dhe me ndëshkim për shkeljen rrugore të kryer.

Kontrollet vijojnë pa ndërprerje, në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit.

Policia e Tiranës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe denoncimet e tyre, të cilat ndihmojnë në evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i fton të vijojnë të denoncojnë çdo rast që konstatojnë në këtë fushë, në numrin 112. Policia e Shtetit iu garanton anonimat dhe reagim të menjëhershëm, konform parashikimeve ligjore.

ME TE LEXUARAT