Rregulla të forta, në çdo plazh 20% e hapësirës publike! Struktura të çmontueshme, ndalohet muzika pas orës 23:00

Aktualitet

Rregulla të forta, në çdo plazh 20% e hapësirës

Të gjitha zonat që do të përcaktohen si plazhe publike këtë sezon veror pritet të menaxhohen përmes një rregulloreje të re që Këshilli i Ministrave ka përgatitur.

Sipas propozimit, plazhet publike do të mund të zihen me shezlonge vetëm në masën 80% të tyre nga privatët ndërsa 20% e hapësirës për çdo plazh duhet të jetë tërësisht e lirë për publikun, pa pagesë dhe pa asnjë pengesë nga sektori privat.

Gjithashtu sipas propozimeve të reja në plazhe mund të ofrohen shërbime të gastronomisë dhe pijeve freskuese, por pa ndërhyrje në rërë dhe strukturat nuk mund të jenë prej betoni, por të çmontueshme.

Rregullorja përcakton në mënyrë të qartë se kushdo që do të ndërtojë në plazhe struktura të përhershme do të duhet të marrë leje jo në Bashki, por leje të posaçme tek Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU).

Edhe muzika nëpër plazhe do të jetë e kufizuar. Përdorimi i pajisjeve fonike, muzikore ose të tjera që gjenerojnë zhurmë, nuk duhet në asnjë rast të shqetësojë pushuesit, banorët përreth apo të cenojë qetësinë publike. Kufijtë e lejuar nuk mund të tejkalojnë nivelet e përcaktuara me aktet nënligjore përkatëse (p.sh. 55 dB ditën dhe 45 dB natën).

Rregullorja e Këshillit të Ministrave që pritet të miratohet thotë se orari i përdorimit të muzikës dhe pajisjeve fonike në plazh përcaktohet në leje të veçantë dhe në mungesë të një përcaktimi, ndalohet përdorimi i tyre pas orës 23:00 dhe gjatë orareve të pushimit (14:00–16:00), me përjashtim të aktiviteteve të miratuara paraprakisht nga autoritetet përkatëse.

Në rregullore përcaktohet se të gjitha subjektet që do të marrin leje duhet të kenë një sërë detyrimesh të rrepta përfshirë dushet me ujë të ëmbël, pastërtinë, tualetet publike, sigurinë në plazhe dhe në rast të shkeljes së rregullave dënimet me gjoba nisin nga 500 mije lekë të reja./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT