Shqipëria, në hartën e data centers/ Cilat qytete kanë kushtet më të mira për investime digjitale?

Ndërsa kërkesa globale për qendra të të dhënave po rritet me ritme të shpejta, edhe Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion potencial për investime në data centers. Faktorët kyç janë energjia, konektiviteti dhe disponueshmëria e truallit.
Teknologjia cloud, inteligjenca artificiale dhe shërbimet digjitale po rrisin ndjeshëm nevojën për data centers në Europë. Në këtë kontekst, Shqipëria po hyn gradualisht në radar, falë pozicionit gjeografik, burimeve energjetike dhe zhvillimit të infrastrukturës.
Sipas analizave të tregut, boshti Tiranë – Durrës mbetet zona më e fortë aktualisht për projekte të këtij lloji. Tirana përqendron pjesën më të madhe të stafit teknik, kompanive IT dhe konsumit digjital, ndërsa Durrësi ofron dalje ndërkombëtare përmes portit dhe lidhjeve të fibrës optike, duke e bërë këtë korridor ideal për data centers të tipit colocation dhe cloud rajonal.
Në valën e dytë të interesit po hyn jugperëndimi i vendit. Fier dhe Vlorë po konsiderohen si zona me potencial të lartë, për shkak të hapësirave të mëdha industriale dhe projekteve energjetike në zhvillim. Ekspertët theksojnë se, nëse konsolidohet boshti energjetik me gaz dhe burime të rinovueshme, kjo zonë mund të shndërrohet në destinacion për campus data centers dhe projekte energji-intensive, përfshirë ato të lidhura me inteligjencën artificiale.
Një tjetër qytet që po tërheq vëmendje është Korçë. Me temperatura mesatare më të ulëta dhe hapësira të mëdha për zhvillim, Korça ofron avantazh natyror për ftohje, duke ulur kostot operative. Kjo e bën zonën interesante për green data centers dhe për site rezervë jashtë korridorit kryesor Tiranë–Durrës.
Ndërkohë, veriu i vendit, veçanërisht zonat pranë Vau i Dejës, po shihet si një mundësi për modele hibride energjie, duke kombinuar hidrocentralet ekzistuese me projekte solare. Këto zona janë më të përshtatshme për projekte pilot dhe data centers me profil ESG.
Ekspertët theksojnë se gjigandët ndërkombëtarë nuk zgjedhin qytete sipas emrit, por sipas një pakete të qartë kriteresh: furnizim energjie 24/7, lidhje të shpejta interneti, tokë për zgjerim dhe risk të ulët operacional. Në këtë garë, Tirana dhe Durrësi kryesojnë për konektivitet, Fier–Vlorë për energji dhe hapësirë, ndërsa Korça për efikasitet klimatik.
Shqipëria ka disa pika reale konkurruese për data centers. Sfida mbetet koordinimi i investimeve në energji, rrjet dhe planifikim territorial, për ta kthyer këtë potencial në projekte konkrete dhe për ta pozicionuar vendin si nyje digjitale në rajon


