Shqiptarët nuk do të ushqehen më me mish brazilian/ Ministria ultimatum AKU-së: Nga 3 shtatori...

Aktualitet

Shqiptarët nuk do të ushqehen më me mish brazilian/ Ministria
Shqipëria pritet të ndërpresë importin e mishit të gjedhit dhe shpendëve nga Brazili, pas ndryshimeve në rregullat europiane për produktet me origjinë shtazore.

Masa lidhet me kërkesat e Bashkimit Europian për vendet dhe stabilimentet që lejohen të eksportojnë produkte shtazore drejt tregut europian. Sipas rregullave të reja, të cilat do të zbatohen nga 3 shtatori 2026, kriteret për përdorimin e produkteve veterinare në kafshët e destinuara për prodhim ushqimor bëhen më të rrepta.

Në këtë kuadër, Ministria e Bujqësisë i ka përcjellë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit udhëzimet për mënyrën se si duhet të veprohet me operatorët ekonomikë që importojnë mish nga Brazili.

Sipas dokumentit, për shkak se urdhri shqiptar që rregullon importin e produkteve me origjinë shtazore e lidh lejimin e tyre me listat dhe miratimet e Bashkimit Europian, ndryshimet e reja europiane reflektohen drejtpërdrejt edhe në procedurat që zbatohen në Shqipëri.

AKU-së i është kërkuar që të informojë bizneset për ndryshimin e rregullave dhe të marrë masat për zbatimin e tyre duke nisur nga 3 shtatori.

Brazili ka qenë prej vitesh një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar me produkte të mishit. Importet nga ky vend kanë luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm në furnizimin e konsumatorëve, por edhe në industrinë vendase të përpunimit të mishit.

Të dhënat e WITS, platforma e Bankës Botërore për statistikat e tregtisë, tregojnë se gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili rreth 28.5 milionë dollarë produkte të kategorisë mish dhe të brendshme. Rreth 10.1 milionë dollarë e kësaj vlere i përkisnin mishit dhe produkteve të shpendëve.

Ndryshimi pritet të sjellë pasoja në tregun shqiptar, veçanërisht për kompanitë që janë mbështetur te furnizimet braziliane për shkak të çmimeve konkurruese dhe volumit të lartë të produkteve.

Për industrinë shqiptare të përpunimit të mishit, sfida tashmë është gjetja e burimeve alternative të furnizimit. Kjo do të kërkojë jo vetëm garantimin e sasive të nevojshme dhe çmimeve të përballueshme, por edhe përmbushjen e standardeve të sigurisë ushqimore.

Në praktikë, nga shtatori tregtarët shqiptarë do të duhet të rishikojnë zinxhirët e furnizimit dhe të orientohen drejt tregjeve të tjera që plotësojnë kërkesat e reja të përcaktuara nga kuadri europian.

ME TE LEXUARAT