Sot protesta e 26-të, qytetarët kërkojnë dorëheqje të pa negociueshme të Edi Ramës: Të gjithë para Kryeministrisë!

Protesta e 26-të qytetare pritet të mbahet sot në Tiranë, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Tubimi konsiderohet si një nga momentet më kulmore të mobilizimit qytetar, pas më shumë se tre javësh protesta të njëpasnjëshme në kryeqytet dhe qytete të tjera të vendit.
Sipas protestuesve, lëvizja tashmë ka kaluar përtej kauzës fillestare, duke u kthyer në një revoltë më të gjerë kundër korrupsionit, keqqeverisjes, mungesës së transparencës dhe emigrimit masiv të të rinjve.
Një ditë më parë, qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” rreth orës 19:00, për të marshuar më pas drejt godinës së Kryeministrisë.
Protesta vijoi në disa nga akset kryesore të Tiranës, ndërsa pjesëmarrja mbeti e lartë edhe pse kryeqyteti u përfshi nga reshje të dendura shiu.


