“SPAK provoi se Balluku ka intimiduar dëshmitarët”- Bardhi zbardh dosjen: I bëri presion vartëses

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaron se SPAK ka provuar me metoda speciale hetimi se zv/kryeministrja Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitarët.
Sipas tij, provat gjenden në dosjen që Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Kuvend, ku kërkon edhe heqjen e imunitetit të Ballukut për efekt arrestimi, pas marrjes si e pandehur dhe me masë sigurie për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Por ai shton se këto prova janë kyçur në kasafortë nga kryeparlamentari Niko Peleshi, që nuk ua lejon deputetëve që do mblidhen në Këshillin e Imuniteteve të premten.
“SPAK me metoda speciale hetimi ka provuar se Belinda Ballukun ka intimiduar dëshmitarët. Provat ekzistojnë, i ka sjell edhe në Kuvend, por Niko Peleshi i ka mbyllur në kasafortë. Vonesat, kasafortat dhe fshehja e fakteve janë vetëm manovra të dëshpëruara të Edi Ramës për të blerë kohë”, shkruan Bardhi mes të tjerash në Facebook, duke e shoqëruar edhe me një dokument nga dosja.

Bardhi ka zbardhur edhe pasazhin e materialit dhe dosjes së SPAK, duke e shënuar edhe me bojë këtë pjesë (foto sipër), ku flitet për presionin e zv/kryeministres ndaj vartëses së saj, me inicialet M.K.


