Shpërthen keq epidemia e gripit në Francë, spitalet plot

Franca po përballet me një epidemi gripi në rritje, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet ndjeshëm në javët në vijim, duke rrezikuar funksionimin normal të spitaleve, veçanërisht gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Sipas vlerësimeve të Institutit “Pasteur” dhe Shërbimit Francez të Shëndetit Publik, përdorimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor për raste të lidhura me gripin pritet të rritet ndjeshëm në dy javët e ardhshme. Të dy institucionet flasin për një ndikim të fortë mbi spitalet, të cilat tashmë po ndjejnë presionin e fluksit në rritje të pacientëve.
Buletini javor i Shërbimit të Shëndetit Publik, i publikuar të martën dhe që mbulon periudhën 8–14 dhjetor, tregon se të gjithë treguesit e lidhur me gripin janë në rritje për të gjitha grupmoshat. Veçanërisht shqetësuese është shtimi i vizitave në urgjencë për simptoma të ngjashme me gripin.
Autoritetet parashikojnë që kjo rritje të vijojë edhe për dy javë të tjera, përpara se të shënohet një rënie në fillim të vitit 2026. Kjo ulje pritet të lidhet kryesisht me mbylljen e shkollave dhe reduktimin e kontakteve, që zakonisht sjell një ngadalësim të transmetimit të virusit.
Ndërkohë, institucionet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, të ndjekin rekomandimet mjekësore dhe të shmangin mbingarkimin e panevojshëm të shërbimeve spitalore.


