Studimi ndërkombëtar ngre alarmin për shëndetin mendor të studentëve!

Studentët e universiteteve ndiejnë më shumë presion për të qenë perfektë sesa një brez më parë, sipas një studimi të publikuar në revistën Psychological Bulletin. Studiuesit zbuluan se kjo rritje e perfeksionizmit mund të lidhet me faktorë socialë dhe ekonomikë, si rritja e pabarazisë dhe ngadalësimi i zhvillimit ekonomik.
“Perfeksionizmi është një rrezik për shëndetin publik, ai lidhet me rritje të depresionit dhe ankthit,” tha autori kryesor i studimit, Thomas Curran, nga London School of Economics and Political Science. “Nëse duam të përballemi me krizën e shëndetit mendor tek të rinjtë, duhet të fokusohemi te këta faktorë kulturorë dhe ekonomikë.”
Në studime të mëparshme, Curran dhe kolegët e tij kishin vënë re rritje të perfeksionizmit tek studentët deri në vitin 2017. Në këtë studim të ri, ata donin të kuptonin nëse kjo rritje kishte vazhduar dhe cilat ishin arsyet.
Ata analizuan të dhëna nga 307 studime të kryera mes viteve 1989 dhe 2024, ku morën pjesë mbi 82 mijë studentë nga SHBA-ja, Kanadaja dhe Britania. Të gjithë studentët plotësuan pyetësorë standardë për të vlerësuar nivelin e perfeksionizmit.
Rezultatet treguan se perfeksionizmi është rritur vazhdimisht nga viti 1989 deri në 2024. Studiuesit vunë re gjithashtu se, që nga fillimi i viteve 2000, disa forma të perfeksionizmit janë rritur më shpejt se të tjerat. “Shqetësimet perfeksioniste”, si frika nga dështimi, pasiguria dhe frika nga gjykimi i të tjerëve, janë rritur shumë më shpejt sesa “synimet perfeksioniste”, që lidhen me vendosjen e standardeve shumë të larta dhe përpjekjen për t’i arritur ato.
Studiuesit analizuan edhe lidhjen mes perfeksionizmit dhe kushteve ekonomike në periudha të ndryshme. Ata zbuluan se ngadalësimi i rritjes ekonomike lidhej me rritje të përpjekjes për perfeksion, ndërsa pabarazia ekonomike lidhej me shtim të frikës dhe ankthit për gabimet dhe opinionin e të tjerëve.
“Kur mungojnë mundësitë ekonomike, të rinjtë duket se përpiqen të kompensojnë duke u sforcuar më shumë,” tha Curran. “Dhe kur rritet pabarazia, frika nga gabimet dhe mendimi i të tjerëve bëhet pjesë më e fortë e psikologjisë së të rinjve.”
Studimi zbuloi gjithashtu se lidhja mes perfeksionizmit dhe problemeve të shëndetit mendor ka mbetur e pandryshuar me kalimin e kohës. Nivelet më të larta të perfeksionizmit lidhen vazhdimisht me simptoma si depresioni dhe ankthi. Për shkak se perfeksionizmi është rritur me kalimin e viteve, studiuesit thonë se ai mund të jetë një faktor në rritjen e problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë.
“Këto rezultate japin më shumë kontekst për debatet e fundit mbi shëndetin mendor të të rinjve,” tha Curran. “Telefonat dhe rrjetet sociale janë fajësuar shumë, por rritja e perfeksionizmit ka nisur para rrjeteve sociale. Ky studim tregon se pas kësaj fshihet diçka më e thellë.”


