U kap duke lëvizur pa patentë në bregdetin e Divjakës, kush është Tik Tok-ersi që po ndiqet nga policia

Policia Divjakës ka nisur hetimin për Dritan Gjylën, i njohur edhe si Tan Gjyla në TikTok. 53-vjeçari u kap duke lëvizur me automjet në bregdetin e Divjakës pa patent. Po ashtu blutë kanë bllokuar edhe makinën tip 'Benz".
“Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqet një shtetas duke drejtuar automjetin në bregdetin e Divjakës, ju informojmë se:
Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Fier kanë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat, drejtuesin e automjetit, shtetasin D. Gj., 53 vjeç, banues në Lushnjë.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. Gj., për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pasi nga verifikimet ka rezultuar se nuk ishte i pajisur me leje drejtimi.
Gjithashtu, është bërë bllokimi administrativ i automjetit tip “Benz”, që shfaqet në këtë video, pasi drejtuesi nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim”, njoftoi sot policia
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.


