Zjarr në Fushën e Aviacionit në Gjirokastër, dyshime për zjarrvënie të qëllimshme

Një vatër zjarri është regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën e Fushës së Aviacionit në Gjirokastër, ndërkohë që autoritetet po hetojnë mundësinë e një shkaktari të qëllimshëm.
Flakët u konstatuan në një kanal të vendosur mes një toke bujqësore dhe perimetrit të Fushës së Aviacionit. Ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse bëri të mundur izolimin e shpejtë të vatrës, duke evituar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Sipas raporteve paraprake, ngjarja nuk ka shkaktuar dëme materiale në pasuri apo rrezik për mjedisin përreth.
Grupi hetimor ka nisur punën në terren për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes dhe shkakun e saktë të rënies së zjarrit.


