17 të plagosur gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin, zbardhen detaje të reja

Bota
17 të plagosur gjatë Paradës së Krenarisë në

Sipas të dhënave të policisë, i dyshuari për sulmin gjatë Paradës së Krenarisë ka lidhje me organizatën terroriste “Shteti Islamik”. Supozohet se veprimi është kryer me dashje, me synimin për të vrarë njerëz.

Prej sulmit me makinë, që hyri në turmën njerëzve gjatë Paradës së Krenarisë, Christopher Street Day (CSD), nëBerlin, u plagosën të paktë 17 vetë. Një syresh ka humbur ndërkohë jetën si pasojë e plagëve, kurse disa të tjerë janë ende në rrezik jete, tha një zëdhënës i Policisë së Berlinit.

Ende nuk dihet nëse për ngjarjen është përgjegjës një person i vetëm apo disa autorë. Deri tani hetuesit kanë shpallur publikisht në kërkim 21-vjeçar Abdul B.

Sipas policisë Abdul B. dyshohet se rreth orës 22:00 plagosi në zonën e Tiergarten në Berlin disa vetë me një automjet në lëvizje. Më pas "një ose disa persona” thuhet se janë larguar nga automjeti. Policia njofton se ka mundësi që disa persona janë plagosur edhe me mjete prerëse ose therëse.

Policia e Berlinit paralajmëroi në një deklaratë të publikuar në platformën X që qytetarët të mos i afrohen të dyshuarit, i cili dyshohet se ka motive islamiste, pasi ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm. Sipas policisë i pandehuri me trup të hollë, është rreth 1.90 metra i gjatë dhe ka flokë të zinj.

Sipas të dhënave të policisë, i dyshuari është i njohur për organet e rendit për shkak të lidhjeve të tij me organizatën terroriste "Shteti Islamik”(IS) dhe konsiderohet se i përket spektrit islamist.

Njoftohet se ndaj tij janë zhvilluar hetime sipas nenit 89a të Kodit Penal Gjerman (Përgatitja e një vepre terroriste) dhe se ai ka pranuar se kishte pasur kontakte me "Shtetin Islamik”. 21-vjeçari Abdul B ka qenë edhe në burg.

Edhe pse rrethanat e sakta të çështjes mbeten ende të paqarta, supozohet se veprimi është kryer me dashje, me synimin për të vrarë njerëz.

Merz: "Akt i neveritshëm”

Kancelari Friedrich Merz e dënoi sulmin vdekjeprurës gjatë Christopher Street Day dhe e quajti atë si një "akt të neveritshëm”.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u shpreh i tronditur nga sulmi dhe tha "Kjo vepër është një sulm ndaj shoqërisë sonë të hapur, ndaj mënyrës sonë të jetesës dhe bashkëjetesës”.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, tha se ishte "thellësisht i tronditur” nga sulmi me automjet gjatë paradës CSD duke e cilësuar atë si një "sulm të neveritshëm ndaj njerëzve që po festonin në mënyrë paqësore”.

"Ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për ta zbardhur sa më shpejt këtë krim të tmerrshëm dhe rrethanat që qëndrojnë pas tij, si dhe për t'i ndëshkuar autorët”, shtoi Dobrint.

ME TE LEXUARAT