BE ndryshon kursin për emigracionin, me votat e së djathtës kalon vendimi për dërgimin e emigrantëve jashtë Unionit

Bota

BE ndryshon kursin për emigracionin, me votat e së djathtës kalon

Parlamenti Europian ka miratuar një vendim që ndryshon qasjen ndaj emigracionit, duke lehtësuar ngritjen e qendrave për mbajtjen e emigrantëve jashtë Bashkimi Europian, të njohura si “return hubs”.

Vendimi u votua me 389 vota pro, 206 kundër dhe 32 abstenime, duke kaluar falë një aleance mes partive të djathta dhe atyre të ekstremit të djathtë, që më parë kishin mbajtur distancë nga njëra-tjetra. Ndërkohë, partitë e majta dhe ato të qendrës votuan kundër.

Me këtë ndryshim, çdo shtet anëtar i BE-së mund të negociojë vetë ose në grupe të vogla për të dërguar emigrantët që u është refuzuar azili jo në vendet e origjinës, por në qendra të posaçme që pritet të ndërtohen jashtë territorit të unionit.

Në fakt, disa vende si Greqia, Gjermania, Holanda, Austria dhe Danimarka kanë nisur tashmë negociata me shtete, kryesisht në Afrikë, për të pritur këto struktura.

Ky zhvillim vjen në një klimë ku partitë e ekstremit të djathtë në Europë po shtyjnë për politika më të ashpra ndaj emigracionit, duke marrë si shembull edhe qasjen e Donald Trump në SHBA.

Madje, parti si Vlaams Belang në Belgjikë dhe AfD në Gjermani kanë propozuar krijimin e strukturave speciale policore për identifikimin dhe deportimin e emigrantëve.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarmin, duke thënë se emigrantët po përballen me trajtime të ashpra dhe kthime të paligjshme në kufijtë e BE-së, ndërsa mbrojtja ligjore për ta po dobësohet gjithnjë e më shumë./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT