Blackout total në Irak, ambasada amerikane thirrje qytetarëve të saj: Largohuni nga vendi!

Bota

Blackout total në Irak, ambasada amerikane thirrje qytetarëve të

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Baghdad u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që të largohen menjëherë nga Iraku, pasi furnizimi me energji elektrike është ndërprerë plotësisht në të gjitha provincat e vendit.

“Qytetarët amerikanë në Irak inkurajohen fuqimisht të largohen sapo të jenë në gjendje ta bëjnë këtë në mënyrë të sigurt dhe të qëndrojnë brenda shtëpive derisa kushtet të jenë të sigurta për nisje”, deklaroi ambasada në platformën X. “Nëse është e sigurt për ta bërë këtë, amerikanët duhet të largohen nga Iraku tani.”

Mbi 17.500 amerikanë janë kthyer në Shtetet e Bashkuara që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit. Mbi 8.500 prej tyre janë kthyer vetëm dje, deklaroi zëvendëssekretari i Shtetit, Dylan Johnson.

Ndërkohë, ceremonia funebre për ajatollahun Ali Khamenei, e planifikuar për sot në Teheran, është shtyrë, njofton televizioni shtetëror. Ceremonia treditore ishte paralajmëruar të niste sot në orën 22:00 lokale. Shkak për shtyrjen janë bërë problemet logjistike, përfshirë kërkesat e njerëzve nga provinca të ndryshme për të marrë pjesë në ceremoni.

Raketat dhe dronët nuk ndalen, Lindja e Mesme mbetet ende tokë përplasjesh. Ndërsa sulmet e Izraelit ndaj Teheranit vazhdojnë dhe Forcat e Mbrojtjes së Izraelit godasin në Liban, Irani ka zgjedhur si Udhëheqës të ri Suprem Mojtaba Khamenein, djalin e ajatollahut Ali, të vrarë në orët e para të konfliktit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka kërkuar eliminimin e tij: "Çdo udhëheqës i emëruar nga regjimi terrorist iranian për të vazhduar planin për të shkatërruar Izraelin, kërcënuar Shtetet e Bashkuara, botën e lirë dhe vendet e rajonit dhe shtypur popullin iranian, do të jetë një objektiv i qartë për eliminim", tha ai.

Sakaq, Turqia pretendoi se një raketë e shkatërruar në ajër nga NATO, ishte nisur drejt territorit turk. Ky pretendim është rrëzuar më pas nga Ankaraja zyrtare ku sqarohet se “Turqia nuk ishte objektivi” por se raketa ishte drejtuar drejt një baze në pjesën greke të Qipros dhe se ka devijuar nga trajektorja.

Pasdaranët deklarojnë se kanë “kontroll të plotë” mbi Ngushticën e Hormuzit, një pikë kyçe për tregtinë botërore të naftës në hyrje të Gjirit Persik.

“Aktualisht, Ngushtica e Hormuzit është nën kontroll të plotë të Marinës së Republikës Islamike”, tha Mohammad Akbarzadeh, një zyrtar i lartë i marinës.
Një ditë më parë, Trump garantoi se marina amerikane mund të shoqërojë cisternat përmes ngushticës, nëse është e nevojshme.

Ndërkohë Katari ka njoftuar arrestimin e 10 prej anëtarëve të Gardës së Revolucionit Islamik. Kuvajti po shënjestrohet nga raketa të shumta.

Agjencia me bazë në SHBA, Human Rights Activists Neës Agency (Hrana), thotë se janë vrarë mbi 1097 qytetarë, mes tyre 180 fëmijë nën 10 vjeç. Mbi 5402 njerëz janë plagosur. ku 100 prej tyre janë fëmijë.

Ndërkohë, Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “gjithçka është shkatërruar në Iran”, ndërsa një komandant ushtarak amerikan deklaroi se janë goditur më shumë se 2.000 objektiva në vend.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kanë lëshuar një paralajmërim urgjent për civilët më shumë se 13 qytete të Libanit, ndërsa vazhdojnë të godasin ndërtesa që, sipas tyre, janë të lidhura me Hezbollahun.

Sulmet po zhvillohen në një ndërtesë katërkatëshe në Baalbek, në lindje të Libanit ku raportohet për “shumë të vdekur” dhe se po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë familjet nga rrënojat”. Gjithashtu, IDF raportohet se ka goditur edhe një hotel në periferi të Hazmieh. Deri më tani raportohet për 11 të vdekur.

Pentagoni ka identifikuar katër nga gjashtë ushtarët amerikanë që u vranë në luftën kundër Iranit, duke njoftuar se ata humbën jetën në një sulm me dron në Port Shuaiba, në Kuvajt. Ndërkohë, në Kuvajt sulmet kanë shkaktuar vdekjen e një 11-vjeçareje./Shqiptarja

ME TE LEXUARAT