Bota kërcënohet nga terrorizmi/ Kreu i Inteligjencës britanike: Mund të goditemi si 11 shtatori

Bota

Bota kërcënohet nga terrorizmi/ Kreu i Inteligjencës britanike:

Bota mund të përballet me një 11 Shtator tjetër dhe Shërbimet Britanike të Inteligjencës por edhe ato botërore nuk duhet të përqëndroehn vetëm tek kërcënimet e të kaluarës , por duhet të jenë të përgatitura për një goditje të re strategjike, të ngjashme me sulmet e 11 Shtatorit 2001. Paralajmërimin vjen nga drejtori i përgjithshëm i MI5, Ken McCallum, në një opinion të publikuar të premten, në kuadër të 25-vjetorit të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara.

McCallum theksoi se mësimi më i rëndësishëm nga 11 Shtatori është se goditja e ardhshme strategjike, pikërisht për shkak të natyrës së saj, nuk do të ngjajë domosdoshmërisht me atë të mëparshmen. Sipas tij, shërbimet e sigurisë duhet të mësojnë nga sulmet e së kaluarës, por njëkohësisht duhet të shmangin rrezikun e përgatitjes së përsosur për të luftuar një armik, duke përdorur metodat dhe objektivat e së kaluarës. “E vërteta e pakëndshme është se goditja e ardhshme strategjike mund të jetë tashmë duke marrë formë diku ku ne ende nuk po shikojmë”, shkroi kreu i MI5.

McCallum paralajmëroi se, megjithëse Al-Kaeda është dobësuar ndjeshëm, grupi mbetet një kërcënim, ashtu si edhe synimi i tij dhe i organizatave të tjera militante për të kryer sulme me një numër të madh viktimash. Ai iu referua edhe një komploti islamist të parandaluar së fundmi në Britaninë e Madhe, i cili kishte si objektiv kryerjen e sulmeve me armë ndaj komunitetit hebre në qytetin e Mançesterit.

Por, sipas drejtuesit të MI5, kërcënimet ndaj Britanisë nuk kufizohen vetëm te terrorizmi. Ai vuri në dukje rritjen e agresionit të mbështetur nga shtete të huaja, nga aktet e sabotimit të kryera përmes personave të rekrutuar nga rrjetet kriminale, deri te sulmet kibernetike kundër infrastrukturës kritike, përfshirë centralet elektrike.  “Ne nuk mund të presim goditjen e radhës për të zbuluar se kush e zotëron dobësinë, kush ka autoritetin për të vepruar apo kush duhej të merrte telefonin”, paralajmëroi McCallum.

Në mesazhin e tij, kreu i MI5 tha se viktimave të 11 Shtatorit dhe atyre që mund të bëhen viktima të një sulmi të ardhshëm nuk u detyrohet vetëm kujtesa, por edhe përgatitja, qëndrueshmëria dhe aftësia për t’u përshtatur përpara se të ndodhë goditja e radhës.

ME TE LEXUARAT