Enigma e madhe që çoi në vrasjen e Khameneit në vetëm 60 sekonda, roli kyç i “legjionit të huaj”

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra gjatë një operacioni të koordinuar nga Izraeli, me mbështetje teknologjike dhe operacionale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vrasja e tij, sipas ekspertëve erdhi si rezultat i shumë viteve mbledhjeje informacioni nga shërbimet sekrete izraelite, me një bashkëpunim më të fortë me agjencitë amerikane gjatë gjashtë muajve të fundit.
Sipas zyrtarëve ushtarakë izraelitë, 86-vjeçari Khamenei u vra së bashku me shtatë anëtarë të “udhëheqjes më të lartë të sigurisë iraniane”, të cilët ndodheshin në pika të ndryshme në Tehran. Gjithashtu u vranë rreth 12 persona nga familja dhe rrethi i tij i ngushtë.
Sulmet u kryen pothuajse njëkohësisht, brenda 60 sekondash, sipas raportimit të The Guardian. Gjithashtu, raportohet se kanë humbur jetën edhe 40 zyrtarë të tjerë të lartë iranianë.
Eliminimi i Khameneit shënoi fillimin e një fushate ajrore të nisur nga Izraeli dhe SHBA me synimin për të rrëzuar regjimin teokratik në Teheran, duke e futur sërish Lindjen e Mesme në një cikël paqëndrueshmërie dhe dhune.
Elementi i befasisë dhe roli i CIA-s
Ish-shefi i inteligjencës ushtarake izraelite, Amos Yadlin, e cilësoi sulmin si një “surprizë taktike dhe operacionale”, pasi vlerësimet paraprake sugjeronin se Izraeli do të godiste natën, si në sulmin e befasishëm që hapi luftën 12-ditore në qershor 2025.
Sipas raportimeve të The Neë York Times, CIA kishte siguruar informacione se zyrtarët më të lartë iranianë do të mblidheshin në një kompleks në qendër të Teheranit, mëngjesin e së shtunës. Agjencia amerikane thuhet se kishte njoftuar autoritetet izraelite për praninë e Khameneit dhe për orën e saktë të takimit.
Ndërkohë, shërbimet izraelite kishin monitoruar prej vitesh lëvizjet e tij, duke ndërtuar një dosje të detajuar mbi rutinën e përditshme, familjen, bashkëpunëtorët dhe personelin e sigurisë.
Ish-zyrtari i CIA-s, Reuel Marc Gerecht, deklaroi se SHBA zotëronin kapacitete të avancuara teknologjike, por Izraeli kishte ndërtuar rrjete të gjera agjentësh në terren brenda Iranit, të aftë për të siguruar informacione dhe për të kryer operacione të fshehta.
‼️WATCH: For the first time since the start of Operation ‘Roaring Lion’, the IAF is striking targets belonging to the Iranian terror regime in the heart of Tehran.
— Israel Defense Forces (@IDF) March 1, 2026
Over the past day, the IAF conducted large-scale strikes to establish aerial superiority and pave the path to… pic.twitter.com/DN2MkGCfWc
Roli i Mossadit dhe rrjetet në Iran
Mossad ka përqendruar për dekada të tëra aktivitetin e saj në Iran, duke krijuar rrjete të thella informatorësh dhe ekipe operative. Në të kaluarën, operacionet kanë përfshirë vrasjen e një shkencëtari bërthamor iranian me armë të telekomanduar, sulme kibernetike ndaj programit bërthamor iranian dhe vjedhjen e arkivave të dokumenteve bërthamore.
Në vitin 2024, lideri politik i Hamasit, Ismail Haniyeh, u vra në Teheran nga një bombë e vendosur në një dhomë të një godine qeveritare.
Analisti izraelit Yossi Melman deklaroi se Mossadi ndryshoi strategji rreth 20 vite më parë, duke rekrutuar agjentë vendas në Iran dhe duke i pajisur me teknologji të avancuar dhe trajnim të specializuar. Shefi aktual i shërbimit, David Barnea, ka krijuar një njësi të posaçme për një “legjion të huaj” agjentësh të angazhuar në misione të ndjeshme në Lindjen e Mesme.
Goditje strategjike apo gabim?
Vendimi për eliminimin e Khameneit thuhet se ishte shqyrtuar edhe më herët, por presidenti amerikan Donald Trump kishte hezituar për shkak të frikës nga përshkallëzimi rajonal dhe reagimet e aleatëve.
Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se vrasja e liderëve nuk garanton zgjidhje afatgjata. Yossi Melman theksoi se eliminimi i një figure të lartë nuk e zgjidh problemin, pasi liderët zëvendësohen. Një ish-zyrtar i CIA-s u shpreh se “kur eliminon një lider, nuk e zgjidh problemin, krijon një të ri”.
Ish-shefi i kundërterrorizmit në Mossad, Oded Ailam, nënvizoi se 60 sekondat e operacionit ishin rezultat i viteve të përgatitjes, duke theksuar se lufta moderne përcaktohet nga të dhënat, qasja, besimi dhe koha.
Mbetet e paqartë nëse kjo ngjarje do të përshpejtojë dobësimin e regjimit iranian apo do të hapë rrugën për zhvillime edhe më radikale në një Lindje të Mesme tashmë të brishtë.


