Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin e plotë për pezullimin e Belinda Ballukut

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka zbardhur vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen e pezullimit nga detyra të ish-zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku nga SPAK.
Vendimi, u mor pas shqyrtimit të një mosmarrëveshjeje kompetence midis pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Konflikti nisi kur Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi masën e sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Ballukun.
Kryeministri i kërkoi Kushtetueses shfuqizimin e pezullimit, duke argumentuar se:
Pezullimi cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat ekskluzive të Kryeministrit dhe Presidentit për emërimin dhe shkarkimin e ministrave.
Pezullimi shkel imunitetin e garantuar për anëtarët e Këshillit të Ministrave, të ngjashëm me imunitetin e deputetit, i cili nuk mund të pezullohet pa autorizimin e Kuvendit.
Qëndrimet e institucioneve të tjera
Kuvendi mbështeti kërkesën e Kryeministrit, duke argumentuar se pezullimi krijon vakum institucional.
SPAK kundërshtoi, duke theksuar se masa është procedurale dhe nuk prek funksionimin e ministrisë.
Presidenti la vendimin në dorë të Kushtetueses për interpretimin e masës në raport me ndarjen e pushteteve.
Gjykata Kushtetuese u nda në dy qëndrime të barabarta (4 me 4):
Një grup gjyqtarësh kërkonte që pezullimi të kushtëzohej me autorizim paraprak të Kuvendit, për të balancuar ndjekjen penale dhe funksionimin e ekzekutivit.
Tjetri argumentonte se imuniteti nuk përfshin pezullimin, që prek individin dhe jo institucionin, ndaj nuk kërkohet autorizim nga Kuvendi.
Në mungesë të shumicës prej 5 votash, Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e Kryeministrit dhe hoqi masën e pezullimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që kishin qenë të përkohshme gjatë shqyrtimit.


