Kompanitë e naftës fituan 93 miliardë dollarë mes luftës me Iranin dhe valëve vdekjeprurëse të të nxehtit

Bota

Kompanitë e naftës fituan 93 miliardë dollarë mes

Tetë nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë kanë regjistruar fitime prej afro 93 miliardë dollarësh në vetëm tre muaj, ndërsa lufta mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit rriti ndjeshëm çmimet e energjisë dhe bota përballej me pasojat e krizës klimatike.

Sipas një analize të publikuar nga The Guardian, kompanitë Saudi Aramco, Shell, BP, ExxonMobil, Chevron, TotalEnergies, Equinor dhe Eni kanë përfituar nga rritja e çmimit të naftës, duke fituar mesatarisht mbi 700 mijë dollarë në minutë gjatë tremujorit prill-qershor.

Organizatat mjedisore kanë reaguar ashpër, duke akuzuar industrinë e naftës se po “përfiton nga mjerimi njerëzor”, ndërsa miliona familje përballen me fatura më të larta të energjisë, zjarre, thatësira dhe valë ekstreme të të nxehtit.

Fitimin më të madh e raportoi Saudi Aramco, me mbi 33 miliardë dollarë, ndërsa BP shënoi fitimin më të lartë që nga viti 2022, me 5.73 miliardë dollarë. Edhe Shell, Chevron dhe ExxonMobil raportuan rritje të ndjeshme të fitimeve krahasuar me një vit më parë.

Sipas analizës, vlera në treg e tetë kompanive u rrit me rreth 600 miliardë dollarë, duke kaluar kufirin e 3 trilionë dollarëve.

Ndërkohë, shkencëtarët paralajmërojnë se vera e këtij viti ka sjellë valët më të rënda të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë në Evropë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me ngrohjen globale të shkaktuar nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Vetëm në Evropë vlerësohet se temperaturat ekstreme kanë shkaktuar rreth 20 mijë viktima, ndërsa thatësirat, zjarret dhe përmbytjet kanë sjellë dëme të mëdha në disa kontinente.

Aktivistët e klimës kërkojnë vendosjen e taksave shtesë ndaj fitimeve të jashtëzakonshme të kompanive të naftës dhe përdorimin e tyre për financimin e energjisë së rinovueshme dhe përballimin e dëmeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.

 

ME TE LEXUARAT