Kontraceptiv për pëllumbat: Nisma e re e Polonisë për kontrollin e mbipopullimit

Qyteti jugor i Polonisë, Krakow, ka nisur një program pilot për të kontrolluar popullsinë në rritje të pëllumbave duke përdorur kokrra misri të trajtuara me kontraceptiv, sipas “TVP World”.
Nisma, që synon të ulë numrin e pëllumbave të rinj pa dëmtuar zogjtë ose qytetin historik, ka vendosur “ushqyes inteligjentë” në vendet më të frekuentuara nga pëllumbat, duke përfshirë sheshin “Main Market”.
Çdo pajisje jep një racion ditor misri të trajtuar me një kontraceptiv të sigurt, të aprovuar nga veterinerët, që parandalon riprodhimin e zogjve, duke i lënë ata të shëndetshëm.
Zyrtarët e qytetit postuan online: “Kjo zgjidhje është e sigurt për njerëzit dhe kafshët e tjera, dhe qëllimi i saj është të përmirësojë gjendjen e zogjve dhe të ulë problemet e shkaktuara nga mbipopullimi, si përhapja e sëmundjeve dhe vështirësitë për të gjetur ushqim”.
Qyteti shpreson që programi të çojë në hapësira publike më të pastra, trotuare më të sigurta dhe ndikim të reduktuar mbi arkitekturën historike, duke lejuar vendasit dhe turistët të shijojnë hapësirat e jashtme pa ndërhyrje nga tufat e mëdha të pëllumbave.
Qasja inovative ofron dy mënyra për të dhënë kontraceptivin.
Pëllumbat mund të marrin misrin e trajtuar direkt nga ushqyesit, ose metoda mund të aplikohet përmes rrugëve nazale — një qasje minimale invazive që siguron veprimin e barnës aty ku është më e nevojshme.
Zyrtarët e qytetit thonë se kontraceptivi ndikon vetëm në riprodhim dhe nuk dëmton shëndetin apo sjelljen e zogjve.
Programi është një përpjekje e përbashkët midis bashkisë së Krakow-it, “Fondacionit Dzikusy Salamandry”, shkencëtarëve dhe ekspertëve të mirëqenies së kafshëve.
Ai merr frymëzim nga nisma të ngjashme tashmë të futura në qytete të tjera evropiane, përfshirë Brukselin, ku ushqyerja me kontraceptiv ndihmoi në reduktimin e numrit të pëllumbave.


