Lufta në Lindjen e Mesme trondit bursat evropiane dhe aziatike

Bota

Lufta në Lindjen e Mesme trondit bursat evropiane dhe aziatike

Tregjet financiare ndërkombëtare kanë shënuar një përkeqësim të ndjeshëm, të ndikuara nga përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe frika për pasojat ekonomike globale, veçanërisht në sektorin e energjisë.

Investitorët po reagojnë ndaj rrezikut të mundshëm të ndërprerjes së transportit të naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme strategjike për tregtinë energjetike botërore.

Në Evropë, bursat kanë regjistruar rënie të theksuar. Indeksi kryesor europian, “Stoxx 500”, ka humbur rreth 3,1%, duke u kthyer në nivelet e fillimit të vitit.

Në tregjet kombëtare, rëniet janë të ndjeshme. Madrid -3,7%, Milano -3,6%, Frankfurt -3,2%, Paris -2,6% dhe Londër -2,5%. Presioni është përqendruar kryesisht në sektorin bankar dhe të sigurimeve, që ka rënë rreth 4%, si dhe në kompanitë e shërbimeve publike (-3,7%), luksit (-2,9%) dhe transportit ajror (-4%). Edhe pse sektori energjetik ka pësuar një rënie më të moderuar (-0,4%), ai mbetet i ndikuar nga luhatjet e forta të çmimeve të naftës dhe gazit.

Në tregjet e lëndëve të para, çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm. Nafta “Brent” dhe “WTI” kanë regjistruar rritje mbi 5%, ndërsa gazi natyror ka shënuar një rritje shumë të fortë prej mbi 30%, duke reflektuar shqetësimet për furnizimin dhe stabilitetin e tregut.

Këto zhvillime kanë rritur pasigurinë në tregjet globale dhe kanë shtuar presion mbi ekonomitë e varura nga importi i energjisë. Ndërkohë, çmimet e metaleve të çmuara kanë shfaqur luhatje të forta, me arin dhe argjendin që kanë pësuar rënie të ndjeshme, pas një periudhe rritjeje të mëparshme.

Tregjet e obligacioneve gjithashtu janë nën tension. Diferenca mes obligacioneve italiane dhe atyre gjermane është zgjeruar, duke arritur në rreth 69 pikë. “Yield” i obligacionit 10-vjeçar italian është rritur, duke reflektuar rritjen e perceptimit të rrezikut. Edhe në Britaninë e Madhe , rendimenti i obligacioneve 10-vjeçare ka shënuar rritje, duke treguar një klimë të kujdesshme në tregjet financiare.

Euro ka shënuar një dobësim të lehtë ndaj dollarit dhe jenit japonez, në një kohë kur investitorët po kërkojnë valuta më të qëndrueshme. Në tregun e kriptovalutave, pasiguria ka ndikuar negativisht: Bitcoin ka rënë me disa për qind, ndërsa edhe altcoin-et kryesore kanë regjistruar humbje.

Edhe tregjet aziatike kanë mbyllur me rënie të theksuara. Indeksi rajonal ka pësuar një rënie prej 2,8%, duke reflektuar shqetësimet globale. Në Japoni, “Nikkei” ka humbur mbi 3%, ndërsa në Korenë e Jugut indeksi Kospi ka rënë mbi 7%, një nga rëniet më të forta të periudhës së fundit. Edhe tregjet në Hong Kong, Shangai dhe Mumbai kanë përfunduar në territor negativ, duke treguar se efektet e tensioneve gjeopolitike po ndihen në të gjithë rajonin aziatik.

Në përgjithësi, situata në tregjet financiare mbetet e paqëndrueshme dhe e ndjeshme ndajzhvillimeve të mëtejshme në konfliktin ndërkombëtar. Investitorët po ndjekin me kujdes çdo lajm që mund të ndikojë në furnizimin me energji, stabilitetin ekonomik dhe politikat monetare në muajt në vijim./ORA

ME TE LEXUARAT