E fshehta pas ngarkesës prej 13 milionë paundësh: Roli sekret që i kushtoi shtrenjtë 24-vjeçares

Një nënë e re që shërbente si korriere droge rrezikon burgun pasi ndihmoi në kontrabandimin e kanabisit me vlerë 13 milionë paund në Britani. Paige Crisp, 24 vjeçe, ishte një nga 11 kontrabandistët e kapur në aeroportin e Birminghamit pasi udhëtuan nga Tajlanda. Forcat Kufitare britanike sekuestruan 460 kilogramë kanabis, me një vlerë në treg prej 13.8 milionë paundësh. Të gjithë anëtarët e grupit u arrestuan me nga dy valixhe të mëdha, të cilat përmbanin rreth 20 kilogramë drogë të kategorisë B. Valixhet ishin aq të rënda sa korrierët u detyruan të paguanin një tarifë shtesë në aeroportin e Bangkokut për t’i vendosur në bagazhin e avionit.
Crisp tashmë rrezikon burgun, pasi u shpall fajtore, së bashku me 10 të pandehurit e tjerë, për tentativën për të transportuar, nxjerrë, depozituar, strehuar, mbajtur, fshehur dhe shpërndarë droga të kategorisë B, me qëllim shmangien e ndalimit për importimin e tyre. Gjykata e Kurorës në Birmingham dëgjoi se grupi kishte udhëtuar nga Tajlanda drejt Britanisë së Madhe, përmes aeroportit Charles de Gaulle në Francë.
Dyshimet u ngritën kur katër prej kontrabandistëve mbërritën në aeroportin e Birminghamit nga Parisi me valixhet e mëdha. Brenda tyre kishte një shtresë të hollë rrobash sipër pakove me kanabis të ambalazhuar në vakum. Valixhet përmbanin gjithashtu tetë pajisje gjurmuese Apple AirTag, të gjitha të lidhura me të njëjtën llogari Apple ID. Crisp, nga Malvern, Worcestershire; Tasia Nelson, 22 vjeçe, nga Newquay, Cornwall; dhe Jaden Ramen, 23 vjeç, nga Merton, Londër, u shpallën të gjithë fajtorë pas një procesi gjyqësor.
Carsten Kyei, 21 vjeç, nga Plaistow, Londër, dhe Nathan Vitorino, 26 vjeç, nga Welwyn Garden City, Hertfordshire, u shpallën fajtorë në një proces të mëparshëm. Bradley Lloyd, 27 vjeç, nga Wythenshawe, Greater Manchester, dhe Lewis Ross, 35 vjeç, nga Bolton, Lancashire, ndryshuan deklaratën e tyre dhe u vetëdeklaruan fajtorë. Claire McCullough, 36 vjeçe, nga Wythenshawe, Greater Manchester; Ryan Boachie, 32 vjeç, nga Edmonton, Londër; Gideon Oluwasetemi Olumoyegun, 26 vjeç, nga Dagenham, Londër; dhe Jamal Clarke, 22 vjeç, nga Mile End, Londër, ishin deklaruar fajtorë në një seancë të mëparshme.
Kyei, Vitorino, Boachie, Olumoyegun, Ross, Lloyd dhe McCullough do të dënohen më 3 shtator. Nelson, Crisp dhe Ramen do të dënohen në të njëjtën gjykatë më 22 tetor. Clarke përballet gjithashtu me një akuzë tjetër për mosparaqitje përpara policisë, ndërsa seanca për këtë çështje do të zhvillohet në të njëjtën datë. Paul Boniface, oficer i lartë hetimi në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA), tha se pas operacionit kishte pasur një “planifikim të jashtëzakonshëm”, duke e përshkruar atë si një “tentativë të sofistikuar” për të futur qindra kilogramë kanabis në Britaninë e Madhe.


