OKB-ja krijon një komitet të “kontrollit njerëzore” për inteligjencën artificiale

Bota

OKB-ja krijon një komitet të “kontrollit njerëzore”

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, njoftoi krijimin e një komiteti të posaçëm për inteligjencën artificiale me qëllim që ajo të kontrollohet nga njerëzit.

Ai dëshironte të ketë “më pak zhurmë” dhe “më pak frikë” rreth kësaj teknologjie.

“Shkenca informon, por njerëzit marrin vendime. Qëllimi ynë është ta bëjmë kontrollin njerëzor një realitet teknik, jo vetëm një slogan”, tha Guterres gjatë një fjalimi në Samitin Global mbi Inteligjencën Artificiale, i cili përfundon sot në Nju Delhi.

Ai njoftoi krijimin e një komiteti ndërkombëtar prej 40 shkencëtarësh nga specialitete të ndryshme për të “plotësuar njohuritë tona mbi inteligjencën artificiale dhe për të vlerësuar ndikimin e saj të vërtetë në ekonomi dhe shoqëri, në mënyrë që të gjitha vendet, pavarësisht nga aftësitë e tyre të IA-së, të kenë të njëjtën qartësi”.

“Nëse duam që inteligjenca artificiale t’i shërbejë njerëzimit, politika jonë nuk mund të bazohet në supozime, ekzagjerime ose dezinformata. Ne kemi nevojë për fakte që mund t’u besojmë dhe t’i ndajmë”, këmbënguli Guterres.

“Pasi të kuptojmë se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjnë sistemet, mund të kalojmë nga masat që miratojmë masivisht në mbrojtje më të zgjuara dhe të përshtatura ndaj riskut”, vazhdoi ai.

“Po zhytemi në të panjohurën”, shtoi Guterres. “Inovacioni në IA po lëviz me shpejtësinë e dritës dhe është përtej kapacitetit tonë kolektiv për ta kuptuar plotësisht, e lëre më për ta zotëruar”.

“Mesazhi është i thjeshtë: më pak premtime, më pak frikë, më shumë fakte dhe prova”, këmbënguli ai.

Samiti i Nju Delhit, i katërti i këtij lloji, mblodhi së bashku politikëbërësit dhe udhëheqësit e industrisë së teknologjisë për të diskutuar ndikimin e inteligjencës artificiale.

Pritet të përfundojë me një deklaratë të përbashkët më vonë sot./CNN

ME TE LEXUARAT