Barriera lundruese në Ceuta, shkon në 67 numri i viktimave, situata në Spanjë alarmon BE-në

Bota

Barriera lundruese në Ceuta, shkon në 67 numri i viktimave, situata

Pas një prej valëve më të mëdha të emigracionit drejt territorit të saj, Spanja ka nisur të forcojë kufirin detar me Marokun. Autoritetet kanë vendosur një barrierë lundruese 500 metra të gjatë në zonën e Tarajalit, në Ceuta, për të parandaluar hyrjet e reja të paligjshme nga deti.

Vendimi vjen vetëm një ditë pasi dhjetëra mijëra emigrantë u dyndën drejt enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut, shumë prej tyre duke notuar ose duke kaluar përgjatë vijës bregdetare nga Maroku.

Fluksi i paprecedentë u shoqërua me një bilanc tragjik, ku të paktën 67 persona humbën jetën nga mbytja ose shtypja në turmë. Gjatë natës së fundit situata është qetësuar, megjithatë disa emigrantë janë ngjitur në gardhin kufitar për të hyrë në enklavën spanjolle të Melillës

Ndërkohë, shumica e emigrantëve që kishin hyrë në Ceuta janë kthyer në Marok, në bashkëpunim me autoritetet marokene.

Barriera e re, e përbërë nga bova lundruese dhe e zhytur pjesërisht në ujë, do të shërbejë si pengesë fizike, ndërsa njëkohësisht do t’u lejojë anijeve të Gardës Civile të patrullojnë zonën. Qeveria spanjolle e cilëson masën si të domosdoshme për mbrojtjen e kufirit të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Kriza ka nxitur reagime edhe në Bruksel. Njëzet e dy vende anëtare kanë kërkuar një mbledhje urgjente të ministrave të Brendshëm për të diskutuar forcimin e mbrojtjes së kufijve dhe koordinimin me Marokun.

Nga ana e tij, kryeministri Pedro Sánchez e ka cilësuar dyndjen masive si një cenim të sovranitetit spanjoll dhe ka mohuar se politikat e fundit të emigracionit të qeverisë së tij kanë nxitur këtë valë të paprecedentë.

ME TE LEXUARAT