Pëçahet tregu botëror i naftës /Pse është në rrezik Europa dhe çfarë fshihet pas lëvizjeve të Amerikës.

Tregu botëror i naftës është ndarë në dy pjesë dhe diferenca e çmimeve është bërë e pazakontë. Nafta e Omanit, që deri pak para luftës në Gjirin Persik ishte në të njëjtin nivel me naftën që përdoret si pikë reference në Europë, tani kushton 30 deri në 40 dollarë më shumë për fuçi.
Deri pak para konfliktit, nafta që lidhet kryesisht me zonën e Atlantikut të Veriut tregtohej me çmime pak më të ulëta se nafta e Gjirit, si ajo e Omanit dhe Dubait, që pasqyrojnë çmimet e vendeve të Lindjes së Mesme.
Sot kjo marrëdhënie është përmbysur plotësisht. Sipas çmimeve të mëngjesit, nafta që përdoret si referencë në Europë kushton rreth 114 dollarë për fuçi, ajo e Dubait 136 dollarë dhe e Omanit ka arritur në 153 dollarë.
Në pamje të parë, kjo duket si një zhvillim relativisht pozitiv për Europën. Nafta është bërë më e shtrenjtë edhe këtu pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, por jo aq sa në Azi, ku përdoret më shumë nafta e Gjirit.
Në letër, kjo diferencë e madhe i jep avantazh Europës dhe SHBA-së, ku çmimi i naftës është edhe më i ulët, rreth 97 dollarë për fuçi.
Por pyetja është sa mund të zgjasë kjo situatë. Rreziku është që kjo diferencë të mbyllet. Nafta transportohet lehtësisht me anije dhe mund të shkojë nga çdo port në çdo rafineri në botë. Kjo e bën të vështirë që për shumë kohë çmimet në një pjesë të botës të mbeten shumë më të ulëta se në një tjetër.
Rritja e fortë e çmimeve për naftën e Dubait dhe Omanit shpjegohet me faktin se ato janë bërë më të pakta pas mbylljes së Hormuzit, pra më të rralla dhe më të shtrenjta. Por shumë shpejt, rafineritë në Azi, pasi të përdorin rezervat që kanë, mund të fillojnë të blejnë më shumë naftë nga tregjet perëndimore.
Kjo do t’i fusë në konkurrencë direkte me rafineritë europiane dhe amerikane. Dhe kur kërkesa rritet, rriten edhe çmimet. Kjo do të thotë se çmimi i naftës në Europë mund të afrohet, duke u rritur, me atë që po paguhet sot në Azi. Shenjat e para të kësaj rritjeje kanë nisur të duken që tani.
Ndërkohë, po shtohen dyshimet për qëndrueshmërinë e çmimeve në SHBA, që kanë mbetur pothuajse të pandryshuara në 97 dollarë, edhe pse situata në Gjirin Persik është përkeqësuar.
Disa operatorë të tregut pyesin nëse autoritetet amerikane, drejtpërdrejt ose nëpërmjet ndërmjetësve, mund të jenë duke ndikuar në treg për të mbajtur çmimet poshtë. Një mënyrë për ta bërë këtë do të ishte shitja e kontratave financiare të naftës në mënyrë që të ulet çmimi.
Një veprim i tillë do të konsiderohej i rrezikshëm për tregun, por në afat të shkurtër mund të japë efekt./CorrieredellaSera


