Aeroporti i Tiranës dhe ACI Europe nënshkruajnë rezolutën për angazhimin drejt “Net Zero”

ACI Europe: Vlerësojmë iniciativën e TIA-s për neutralitetin klimatik
Tiranë, 17 mars 2026 – Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) synon të bëhet aeroporti i parë në rajon me emetime neto zero deri në vitin 2030. Në përputhje me këtë angazhim të rëndësishëm, sot u inauguruan punimet për instalimin e një parku solar në tokë, me kapacitet të planifikuar deri në 50 MWp. Ceremonia u zhvillua në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të ACI Europe, z. Olivier Jankovec.
Gjatë vizitës, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës nënshkroi Rezolutën e ACI Europe për arritjen e objektivit “Net Zero” deri në vitin 2050, duke përforcuar angazhimin e tij afatgjatë për veprim klimatik dhe ambicien e përbashkët për arritjen e emetimeve [1]net zero të karbonit.
Kjo vizitë vjen në një moment kyç për sektorin, me një fokus të shtuar në investimet në inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ky projekt synon të kompensojë plotësisht emetimet e karbonit të aeroportit, duke e pozicionuar Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës ndër aeroportet lider në rajon për qëndrueshmëri dhe përgjegjësi mjedisore.
Drejtori Operacional i TIA-s, z. Piervittorio Farabbi, u shpreh:
“Jemi në fazën përfundimtare të diskutimeve për parqe solare jashtë aeroportit dhe do të nënshkruajmë një deklaratë të përbashkët me sektorin e energjisë dhe gazit, duke u angazhuar për arritjen e objektivit ‘net zero’ deri në vitin 2030, ndjeshëm përpara afateve globale. Ky është kontributi ynë konkret për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e përgjegjshëm.”
z. Olivier Jankovec vlerësoi gjithashtu transformimin e shpejtë të TIA-s, duke e cilësuar atë si një histori suksesi evropiane:

“TIA është aeroporti me performancën më të mirë në Evropë për sa i përket rritjes së trafikut. Krahasuar me vitin 2019, aeroporti ka regjistruar një rritje prej 250% të trafikut të pasagjerëve, ndërkohë që mesatarja evropiane mbetet nën 6%, duke e bërë këtë një rritje vërtet eksponenciale. Investimi në Aeroportin e Tiranës vjen në momentin e duhur, me rreth 140 milionë euro të alokuara për zgjerimin e kapaciteteve. Lidhja ajrore është më e rëndësishme se kurrë për zhvillimin ekonomik. Shqipëria, përmes TIA-s, përfaqëson një model të shkëlqyer që mund të ndiqet nga vende të tjera.”
Vizita e Drejtorit të Përgjithshëm të ACI Europe jo vetëm që forcon marrëdhëniet ndërkombëtare të Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, por gjithashtu thekson vëmendjen në rritje të komunitetit global të aviacionit ndaj zhvillimit të tij të qëndrueshëm dhe rolit strategjik në rajon.
“Net zero” i referohet arritjes së një balancë midis sasisë së gazeve serrë të prodhuara dhe asaj të eliminuar nga atmosfera, duke mos sjellë rritje neto të emetimeve.