Presidenti brazilian i hap Trump-it arkivat diplomatike/ I kujton marrëveshjen për programin bërthamor të Iranit

Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, ka treguar se gjatë takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump i ka dorëzuar një kopje të marrëveshjes bërthamore të vitit 2010 mes Brazilit, Turqisë dhe Iranit.
Sipas tij, Trump ka thënë se do ta lexojë dokumentin, i cili në atë kohë ishte refuzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Marrëveshja parashikonte që Irani të dërgonte mbi 1,200 kilogramë uranium të pasuruar në Turqi, në këmbim të një sasie më të vogël uraniumi të pasuruar për përdorim civil në reaktorin kërkimor të Teheranit.
Kjo marrëveshje shihet nga analistët si e ngjashme me disa propozime të mëvonshme për Iranin, të cilat nuk u pranuan nga Teherani.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Iranit ka vlerësuar rolin e Brazilit dhe Turqisë në atë proces diplomatik.


