SHBA dërgojnë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, Irani: Jemi gati për betejë tokësore, "do ti djegim"

Zyrtarët e ndryshëm në Iran, si dhe përfaqësuesit e ushtrisë dhe Gardës Revolucionare, kanë thënë se forcat e tyre janë të gatshme për ndërhyrjen tokësore të Shteteve të Bashkuara.
Reagimet vijne mes raportimeve se SHBA, po dergon me shume trupa ne Lindjen e Mesme, per te qene te stacionuara prane zones se konfliktit ne rast te nje vendimi te administrates amerikane per nderhyrje tokesore.
Komentet e tyre erdhën pas njoftimeve që Amerika ka dërguar edhe një anije me rreth 3 500 ushtarë në rajon, duke rritur edhe më tej numrin e forcave që gjenden në afërsinë e Iranit.
Teherani zyrtar insiston se, përderisa flet për negociata dhe përpjekje diplomatike për të ndaluar luftën, Amerika është duke zhvendosur trupa dhe mjete në përgatitje të invazionit tokësor.
Zyrtarët amerikanë, nga ana e tyre, thonë se Pentagoni nuk është duke planifikuar një invazion të plotë të Iranit, duke shtuar se të gjitha qëllimet mund të arrihen edhe me operacione nga ajri.
Megjithatë, ata theksojnë se “të gjitha opsionet janë ende të mundura” dhe se zhvillimet e ardhshme varen nga ajo që ndodh në terren.
Ndërkohë, forcat izraelite dhe ato amerikane kanë vazhduar me operacione brenda Iranit, duke sulmuar caqe në pjesë të ndryshme të vendit dhe duke u përqendruar në kërkimin e lëshuesve mobilë të dronëve dhe raketave balistike, me të cilat Irani po vazhdon të sulmojë vendet e rajonit, përkundër humbjeve masive që ka pësuar deri më tani.
Është njoftuar edhe për sulme të reja iraniane në disa vende rajonale, kryesisht drejt Izraelit, prej nga njoftohet se Irani, mes tjerash, goditi caqe industriale në Beersheba, ku raportohet për mundësinë e rrjedhjeve toksike.
Gjithashtu, u njoftua se Irani ka lëshuar sulme edhe drejt Jordanisë, Kuvajtit dhe Katarit.


