Shpërthen për herë të parë pas 500 vitesh vullkani në Rusi, ja çfarë thonë ekspertët
Një ngjarje e pazakontë natyrore ka tronditur rajonin lindor të Rusisë, ku vullkani Krasheninnikov në gadishullin e largët të Kamçatkës ka shpërthyer për herë të parë pas më shumë se 500 vitesh. Sipas autoriteteve ruse, gjatë natës, vullkani ka çliruar një re të dendur hiri, e cila është ngritur deri në 6 kilometra në atmosferë.
Shpërthimi vjen vetëm pak ditë pas një tërmeti masiv me magnitudë 8.8 të shkallës Rihter që goditi të njëjtin rajon dhe shkaktoi alarm global për cunami, që u përhap deri në Polinezinë Franceze dhe brigjet e Kilit. Sipas ekspertëve rusë, ekziston një lidhje e mundshme mes aktivitetit sizmik dhe shpërthimit të papritur të vullkanit Krasheninnikov.
Pavarësisht intensitetit të shpërthimit, Ministria e Emergjencave ruse bëri të ditur se nuk ka rrezik për zonat e populluara dhe situata është nën kontroll. Megjithatë, paralajmërimet për cunami mbeten aktive në tre zona të gadishullit Kamçatka, ku autoritetet kanë bërë thirrje për evakuim të përkohshëm të banorëve pranë vijës bregdetare.
Pak orë pas shpërthimit, një tjetër tërmet me magnitudë 7.0 goditi Ishujt Kuril, duke rritur shqetësimet për pasgoditje të fuqishme. Ministria paralajmëroi se valët e cunamit mund të arrijnë deri në 18 centimetra lartësi, duke shtuar se lëkundjet e forta pritet të vijojnë për disa javë.
Olga Girina, kreu i Ekipit të Reagimit ndaj Shpërthimeve Vullkanike të Kamçatkës, konfirmoi se shpërthimi i Krasheninnikov është i pari i dokumentuar që nga shekulli i 15-të dhe ka të ngjarë të jetë nxitur nga aktiviteti sizmik i fundit.
Gadishulli Kamçatka ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit të Paqësorit”, një zonë e njohur për përqendrimin e lartë të tërmeteve dhe vullkaneve, ku përplasjet e pllakave tektonike krijojnë rrethana të favorshme për shpërthime dhe lëkundje të fuqishme.
Autoritetet ruse mbeten në gatishmëri, ndërsa ekipet shkencore po monitorojnë nga afër situatën për çdo zhvillim të mëtejshëm.