Si është bërë Ngushtica e Hormuzit arma më e fuqishme e Iranit

Kur një zyrtar iranian këtë javë paraqiti një listë kërkesash për t'i dhënë fund luftës së nisur nga SHBA-të dhe Izraeli, ai shtoi një pikë që nuk kishte qenë më parë në listën e Teheranit: njohja e sovranitetit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Rruga e ngushtë ujore nëpër të cilën kalon zakonisht një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë është shfaqur si arma më e fuqishme e Republikës Islamike.
Dhe tani ajo po kërkon të shndërrohet në një burim potencialisht miliarda dollarësh të ardhurash vjetore dhe një pikë presioni mbi ekonominë globale.
Irani ka kërcënuar prej kohësh se do ta mbyllë ngushticën në rast të një sulmi, por pak veta prisnin që ai të zbatonte premtimin - ose që ai të rezultonte kaq efektiv në ndërprerjen e rrjedhave globale të tregtisë.
Shkalla e ndikimit duket se ka zgjeruar ambiciet e Teheranit, me kërkesat e reja që sugjerojnë se ai po kërkon ta shndërrojë këtë ndikim në diçka më të qëndrueshme.
Transporti detar përmes pikës së pengimit është pothuajse i ndaluar për shkak të sulmeve iraniane, duke i çuar tregjet globale të energjisë në trazira dhe duke i detyruar vendet përtej Gjirit Persik të marrin masa emergjente për të siguruar furnizime me karburant.
“Irani është pak i habitur nga sa e suksesshme ka qenë strategjia e tij (e Hormuzit) – nga sa e lirë dhe sa relativisht e lehtë është të mbajë peng ekonominë globale”, tha Dina Esfandiary, drejtuese e Lindjes së Mesme në Bloomberg Economics.
“Një nga mësimet e nxjerra në luftë është se ai ka zbuluar këtë levë të re dhe ka të ngjarë ta përdorë përsëri në të ardhmen. Dhe mendoj se monetizimi i saj është pjesë e zbulimit se ai e ka këtë levë.”


