Tensionet në Lindjen e Mesme, Trump: Shumë shpejt do të shqyrtoj një plan të ri nga Irani

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar se së shpejti do të shqyrtojë një plan të ri nga Irani. Një një reagim në Truth Social, ai shprehet gjithashtu se nuk beson se plani do të ishte i pranueshëm, pasi sipas tij iranianët ende nuk kanë paguar një ccmim të mjaftueshëm për ato që sipas tij kanë bërë
“Së shpejti do ta shqyrtoj planin që Irani sapo na ka dërguar, por nuk mund ta imagjinoj që do të ishte i pranueshëm, pasi ata ende nuk kanë paguar një çmim mjaftueshëm të madh për atë që i kanë bërë Njerëzimit dhe Botës gjatë 47 viteve të fundit”, thuhet në postimin e Trump në Truth Social.
Irani paraqiti një përgjigje me 14 pika ndaj një propozimi nga SHBA-të, raportoi një ditë më pare agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.
Tasnim raportoi se SHBA-të propozuan një armëpushim dy-mujor, por se Irani beson se çështjet duhet të zgjidhen brenda 30 ditëve dhe se negociatat duhet të përqendrohen në përfundimin e luftës në vend të zgjatjes së armëpushimit. Zyrtarët iranianë ende nuk kanë komentuar publikisht mbi detajet e përgjigjes së raportuar.


