Trump: Një ish-president më mbështet për Iranin, sulmet nga Teherani nuk i prisnim

Presidenti amerikan Donald Trump tha se ishte befasuese që Irani goditi vendet fqinje në rajon pas sulmeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në 28 shkurt.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se kjo nuk ishte diçka që mund të parashikohej, ndërsa theksoi se Irani po ndërtonte mijëra raketa dhe po zhvillonte armë bërthamore.
“Askush nuk mendonte se do të godisnin. Vendet që u goditën ishin neutralë, jetuan me ta për vite me radhë. Peter, ata do të pushtojnë Lindjen e Mesme. Kjo ishte e çuditshme, Arabia Saudite, Kuvajti, Bahreini u godit… Nuk kishte asnjë ekspert që tha se kjo do të ndodhte. Nuk është çështje e tipit, a duhej ta dinit? Dhe nëse do ta dinim, do të bënim atë që duhej”, tha Trump.
Sapo nisi konflikti Irani nisi sulme hakmarrëse ndaj objekteve amerikane në rajon që kanë shkaktuar disa viktima, mes tyre edhe shtatë ushtarë amerikanë, ndërsa rreth 200 të tjerë janë plagosur.
Trump tregoi gjithashtu se ka qenë në kontakt me një ish president të Shteteve të Bashkuara i cili e mbështeti sulmin ndaj Iranit, por nuk zbuloi se për kë bëhet fjalë.
Madje republikani shtoi se një paraardhës i tij në Zyrën Ovale i kishte shprehur keqardhje në një bisedë private, që nuk e sulmoi Iranin.
Trump përsëriti se Irani kishte qenë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara për dekada, por tha se është i vetmi president që pati guximin të niste një ofensivë ushtarake.


