Vendoset rekordi i ri botëror! U krijua nga embrioni i ngrirë 30-vjeçar, vjen në jetë foshnja amerikane
Një çift nga Ohio ka lindur djalë nga një embrion i ngrirë për më shumë se 30 vjet, duke vendosur një rekord të ri botëror. Lindsey, 35 vjeçe, dhe Tim Pierce, 34 vjeç, mirëpritën djalin e tyre, Thaddeus Daniel Pierce, të shtunën. Znj. Pierce i tha MIT Technology Review se familja e saj mendonte “se është si diçka nga një film fantastiko-shkencor”.
Besohet se është koha më e gjatë që një embrion është ngrirë përpara se të rezultojë në një lindje të suksesshme të gjallë. Mbajtësi i mëparshëm i rekordit ishte një palë binjakësh që lindën në vitin 2022 nga embrione të ngrira në vitin 1992.
Çifti Pierce ishte përpjekur të kishte një fëmijë për shtatë vjet përpara se të vendosnin të adoptonin embrionin që Linda Archerd, 62 vjeç, krijoi me bashkëshortin e saj të atëhershëm në vitin 1994 përmes fertilizimit in vitro. Në atë kohë, znj. Archerd krijoi fillimisht katër embrione. Njëri u bë vajza e saj, tani 30 vjeç, dhe tre të tjerët u lanë në dhomat e posaçme spitalore.
Pavarësisht ndarjes nga bashkëshorti i saj, ajo nuk donte të hiqte qafe embrionet, t’i dhuronte ato për kërkime ose t’ia jepte një familjeje tjetër në mënyrë anonime. Ajo tha se ishte e rëndësishme që ishte e përfshirë me foshnjën, pasi ata do të ishin të lidhur me vajzën e saj të rritur.
Znj. Archerd paguante mijëra dollarë në vit për ruajtjen e embrioneve derisa gjeti një agjenci të krishterë për birësimin e embrioneve, Nightlight Christian Adoptions, e cila drejton një program të njohur si Snowflakes. Shumë prej këtyre agjencive i konsiderojnë programet e tyre si shpëtimtare jetësh.
Programi i përdorur nga znj. Archerd u lejon donatorëve të zgjedhin një çift, që do të thotë se ata mund të deklarojnë preferencat fetare, racore dhe kombëtare.