U nda nga jeta në moshën 22-vjeçare – zbardhet shkaku i vdekjes së ish-“Miss Austria”

Lucia Sisic, e kurorëzuar Miss Austria 2024, është ndarë nga jeta në moshën vetëm 22-vjeçare.
E reja austriake kishte vuajtur gjatë gjithë jetës nga një problem i lindur në zemër dhe i ishte nënshtruar shtatë ndërhyrjeve kirurgjikale, shkruan BBC.
Lajmi i trishtë u bë i ditur nga Mission Austria, organizata që zhvillon konkurset Miss Austria dhe Mister Austria, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Me tronditje të madhe dhe pikëllim të thellë kemi mësuar për ndarjen nga jeta të Miss Austria 2024, Lucia Sisic”, thuhej në mesazhin e publikuar nga organizata.
Sisic u shpall Miss Austria në vitin 2024 dhe vijonte të mbante kurorën, pasi ende nuk është zhvilluar një konkurs i ri për zgjedhjen e pasueses së saj.
Mission Austria e përshkroi 22-vjeçaren si “një vajzë të re të mrekullueshme”, ndërsa shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë dhe të gjithë personat e afërt me të.
“Lucia do të mbetet gjithmonë pjesë e familjes sonë Miss Austria”, thuhej në mesazhin e nënshkruar nga drejtuesja e Mission Austria, Kerstin Rigger, dhe bashkëshorti i saj, Jörg.
Lucia Sisic nuk e kishte fshehur betejën e saj të gjatë me problemet e zemrës. Në vitin 2024, ajo publikoi në Instagram një mesazh falënderimi për ekipin mjekësor pediatrik që ishte kujdesur për të gjatë fëmijërisë.
Ajo kishte treguar se falë mjekëve dhe stafit shëndetësor, të cilët sipas saj i kishin shpëtuar jetën në disa raste, kishte mundur të kapërcente momente të vështira dhe të jetonte një jetë të plotë.
Në një intervistë për median austriake Heute në vitin 2024, Sisic kishte rrëfyer se ndërhyrjen e parë kirurgjikale e kishte kryer menjëherë pas lindjes.
Problemet shëndetësore kishin ndikuar edhe në fëmijërinë e saj. Ajo kishte treguar se nuk mund të merrte pjesë në disa aktivitete sportive dhe se fëmijëria e saj kishte qenë ndryshe nga ajo e bashkëmoshatarëve.
“Fëmijëria ime ishte thjesht ndryshe, por kjo më bëri edhe më të fortë”, kishte deklaruar ajo.


