“I gjithë populli ushtar”, kryeministri Kurti: Për Kosovën, sistem mbrojtjeje si Finlanda

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti mendon se më i përshtatshëm për Kosovën mund të jetë një model mbrojtjeje gjithëpërfshirëse, dhe largimi nga ideja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Ky koncept, i frymëzuar nga Finlanda dhe vendet baltike, synon të përcaktojë detyra konkrete për qytetarët në rast të rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore apo konflikte të armatosura, duke kombinuar veprimin vullnetar të qytetarëve me strukturat shtetërore dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, FSK.
Qeveria kishte miratuar më parë Programin Kombëtar për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse, i cili synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare për t’iu përgjigjur emergjencave dhe kërcënimeve. Një element shtesë përfshin “Edukimin për siguri” në shkolla, që mëson të rinjtë të reagojnë në raste krizash, si dhe një rezervë vullnetare për qytetarët që do të shërbejnë si rezervistë të FSK-së.
Koncepti që Kurti përmend si shembull, kombinohet me mobilizimin e shoqërisë në rast lufte, trajnime për qytetarët, bashkëpunim me sektorin privat dhe strukturat shtetërore, e përgatitje civile, si strehime dhe rezervë furnizimesh.
“Një model që i ngjan atij të Finlandës dhe vendeve baltike, ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbull të madh njerëzish, që pastaj ta strukturosh e ta pajisësh, por në vend të kësaj përcakton funksione e detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore e deri te lufta e armatosur”, pohoi kryeministri në detyrë.
Finlanda gjithashtu ka konceptin e “72-orësh”, që këshillon qytetarët të jenë të përgatitur për tre ditë në rast emergjencash, me qëllimin që shoqëria të jetë e përgatitur, e vetëmbrojtur dhe e gatshme të mbështesë shtetin, duke rritur qëndrueshmërinë kolektive në kohë krize.