Kosovës do t’i hiqen masat/ Progresi i vendeve të rajonit, Serbia më e kritikuara për korrupsionin nga ekspertët e BE

Kosovë&Rajon

Kosovës do t’i hiqen masat/ Progresi i vendeve të rajonit,

Bashkimi Evropian pritet të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vëna që prej vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, nga Brukseli, pas prezantimit të progres-raportit për vendet kandidate për në BE, ku vlerësohej përparimi i Kosovës në disa fusha, përfshirë në luftën ndaj korrupsionit.

“Përsa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës në progres-raport, ne besojmë se mund t’i heqim këto masa sa më shpejt të jetë e mundur, pasi dhe zgjedhjet lokale u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe normale”, u shpreh Marta Kos.

Serbia është vendi i rajonit që ka shënuar përkeqësim në luftën ndaj korrupsion. Është ky shqetësimi që ngrihet në progres-raport, ku thuhet mes të tjerash se “Reformat janë ngadalësuar ndjeshëm. Ka pakënaqësi nga qytetarët, për shkak të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies dhe presionit ndaj shoqërisë civile”. Për këtë arsye, qëndrimi i komisioneres Kos ndaj Beogradit ishte kritik.

“Sa i përket Serbisë, progres-raporti është kritik, sigurisht. Qeveria dhe Vuçiç na kanë premtuar se do arrijnë t’i përmbahen angazhimeve. Ne po presim që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ne duhet të pranojmë që duhet të ketë një ritëm tjetër, në zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me ligjin e ri elektoral”, shtoi Kos.

Komisionerja Marta Kos kishte kritika dhe për Maqedoninë e Veriut, për të cilën tha se nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në procesin e negociatave, por vlerësoi punën e Malit të Zi, duke e vlerësuar, ashtu si Shqipërisë, lider në procesin e anëtarësimit.

“Mali i Zi është më i avancuari dhe më i përgatituri drejt zgjerimit. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s. Së shpejti do të kemi lajme pozitive. Do kemi edhe një paketë financiare për Malin e Zi”.

Për Bashkimin Evropian, zgjerimi është një objektiv realist i viteve të ardhshme për disa vende kandidate.

ME TE LEXUARAT