Mot ekstrem në Ballkan! Stuhia e fuqishme godet Serbinë, përmbytje në Kroaci, borë në Slloveni
Stuhia ka mbërritur në Beograd, duke sjellë me vete një situatë të vështirë atmosferike dhe një tjetër paralajmërim emergjence për qytetarët.
Sipas autoriteteve, vranësira të fuqishme konvektive, që më herët kanë përfshirë zonat e Baçkës dhe Sremit me reshje të dendura shiu, bubullima, breshër dhe erëra të forta, po lëvizin në drejtim të Banatit qendror dhe verior, duke u përhapur me një rrymë nga jugperëndimi.
Pamje të regjistruara nga qytetarët tregojnë dëme të konsiderueshme në Beograd, ku në disa vendpunishte materialet ndërtimore janë shpërndarë nga era.
Në disa lagje janë raportuar rrëzime pemësh dhe kaos në rrugë si pasojë e kushteve ekstreme të motit.
Kushtet e pafavorshme atmosferike kanë përfshirë edhe vende të tjera në rajon. Në Kroaci, shumë qytete janë përballur me përmbytje si pasojë e reshjeve intensive dhe stuhive të forta.
Në Slloveni, në zonat malore mbi 2200 metra mbi nivelin e detit, janë raportuar reshje bore, me temperatura që kanë rënë deri në zero gradë Celsius.
Autoritetet në të gjithë rajonin u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për të shmangur rreziqet.