Osmani: Kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen më të forta

“Gratë janë drejtuese të proceseve, nga jeta publike dhe politike, tek forcat e sigurisë, diplomacia, ekonomia dhe biznesi. Përvoja na ka treguar se kur gratë marrin pjesë plotësisht, shoqëritë bëhen më të drejta, më të forta dhe më të pasura”, tha në një urim drejtuar grave dhe vajzave në mbarë botën, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Në fjalimin e saj, Osmani që është edhe fituese e Çmimit 2025 “Women for Peace and Security” nga Asambleja Parlamentare e NATO-s tha se një proces paqeje që përjashton gratë nuk mund të ketë sukses të vërtetë, transmeton KosovaPress.
Në fjalimin e saj, Osmani theksoi rëndësinë e lidershipit të grave në ndërtimin e shoqërive më paqësore, më të forta dhe më të drejtë
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Gruas, flas jo vetëm si presidente e një shteti, por edhe si grua, nënë dhe bijë, që ka mësuar se me vendosmëri dhe guxim çdo paragjykim dhe barrierë e imponuar mund të kapërcehet, dhe se premtimi i së ardhmes i takon grave po aq sa burrave. Historia e vendit tim, Republikës së Kosovës, është një provë e gjallë e kësaj të vërtete...”, ka thënë ajo.
Avancimi i të drejtave dhe lidershipit të grave nuk është thjesht çështje drejtësie, por është thelbësor për shëndetin e demokracive tona, ka thënë ajo.
“Megjithatë, duhet të përballemi me realitetin që kemi përpara. Në mbarë botën, shumë gra ende përballen me dhunë, marginalizim dhe padrejtësi. Përfundimi i kësaj nuk mund t’i lihet vetëm një kombi apo një brezi. Është përgjegjësia që të gjithë e ndajmë. Avancimi i të drejtave dhe lidershipit të grave nuk është thjesht çështje drejtësie. Është thelbësor për shëndetin e demokracive tona, ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Duhet të mbetemi të qartë në qëllimin tonë dhe të palëkundur në përkushtimin tonë. Zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin ose injorohen.
Lidershipi i tyre nuk duhet trajtuar si opsional dhe pabarazia nuk duhet pranuar si status quo. Sepse kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme. E ardhmja për të cilën aspiruojmë është një e ardhme ku çdo ambicie e gruas njihet si legjitime, kontributi i saj vlerësohet dhe lidershipi i saj kuptohet për atë që është me të vërtetë, i domosdoshëm”, tha ajo.


