“Ju kur ankoheni se vidhni votat brenda partisë tuaj…”/ Balla për zgjedhjet në PD: Një grua si Meremja e shkretë, e përjashtuat edhe atë

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, u shpreh se 80% e Parlamentit Europian, mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Falënderime për të gjithë eurodeputetët që e votuan. Vihet re që shumica në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe siç do të duket në seancën 17-18 qershorit shkon përtej tre grupimeve më të rëndësishme politike. Dua ta filloj falënderimin me partinë popullore europiane, socialistët dhe demokratët europianë, por edhe grupimet e tjera që e kanë mbështetur. 80% e PE mbështet përmbylljen e kësaj aspirate historike deri në vitin 2030, ku të gjithë së bashku, të majtë e të djathtë, të shohim flamurin kuqezi në oborrin e PE-së. Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve. E vërteta është se edhe nëse ndonjë amendament ishte dërguar me email nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e komisionit të jashtëm.
Mendoj se Shqipëria në Ballkan është vendi ku minoritetet respektohen më mirë se në çdo vend tjetër. Ka vende të tjera në Ballkan që nuk i njohin minoritetet. Shpresoj që deri në seancën plenare kjo pika 12 të rishikohet. Sa i përket pjesës që Komitetit për Politikën e Jashtme vlerëson progresin e Shqipërisë, duke evidentuar hapjen e të gjithë grupkapitujve në një kohë të shkurtër. Ftesa për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit është gjithmonë e hapur. Të ulemi ditën e hënë dhe të shkojmë te rekomandimet”, u shpreh Balla.
Ai më pas nuk i kurseu ironitë për zgjedhjet e mbajtura në PD dhe përjashtimin e Mereme Selas nga gara.
“Partia juaj në zgjedhjet e fundit dëshmoi se nuk ishte e kënaqur me numëruesit që çoi vetë. Sa i përket pjesës së demokracisë, ju ankoheni se vidhni votat brenda partisë tuaj, imagjinoni të ankoheni se po ju vjedhim votat në të tjerat. Pak respekt për barazinë gjinore. Një grua si Meremja e shkretë, e përjashtuat edhe atë. Një kandidat nga gjinia mashkullore dhe një kandidate nga gjinia femërore do ishte një garë e drejtë”, tha Balla.