Konferenca ndërqeveritare Shqipëri–BE / Rama: Vuloset me sukses faza hyrëse e negociatave

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, pas miratimit të qëndrimit të përbashkët të vendeve anëtare për avancimin e vendit.
Në “Shënimet e javës”, Rama u shpreh se procesi i integrimit ka ecur përpara pavarësisht, siç tha ai, kundërshtimeve dhe përpjekjeve për ta penguar, duke iu referuar opozitës dhe protestave të mëparshme.
Ai theksoi se Konferenca Ndërqeveritare pritet të vulosë përmbylljen e fazës hapëse të negociatave dhe hapjen e fazës përfundimtare të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se Shqipëria ka përfituar një tjetër mbështetje financiare prej 49 milionë eurosh nga BE në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke e çuar totalin e përfitimeve në rreth 212 milionë euro.
Sipas tij, këto fonde janë të bazuara në rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian dhe përbëjnë, siç u shpreh ai, një dëshmi të progresit të vendit në rrugën drejt integrimit europian.
Rama ritheksoi se procesi i anëtarësimit do të vijojë deri në arritjen e objektivit final brenda kësaj dekade, duke e cilësuar Shqipërinë si një histori suksesi në procesin e integrimit europian.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes. Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin, Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme. Forca Shqipëria, asgjë nuk e ndal dot Shqipërinë europiane!”, tha Rama.


