Kriza e çmimeve, a do të ketë paketë mbështetëse për familjet? Ja si përgjigjet ministrja

Rritja e çmimeve po rikthen në vëmendje nevojën për masa mbështetëse për familjet dhe shtresat në nevojë. Rikthimi nga qeveria i Bordit të Transparencës për karburantet, në një kohë kur çmimi i naftës ka arritur në 229 lekë për litër, është një tjetër tregues i presioneve që po shfaqen në treg. Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me karburantet, pasi rritja e kostove mund të reflektohet edhe në produkte dhe shërbime të tjera, duke shtuar barrën mbi buxhetet familjare.
Ndërsa vende të tjera të rajonit kanë ndërmarrë masa për të frenuar efektet e rritjes së çmimeve, si ulja e çmimeve në Greqi apo reduktimi i akcizës për naftën në Malin e Zi, në Shqipëri mbetet e hapur pyetja nëse do të ketë një paketë të posaçme mbështetëse për kategoritë në nevojë. E pyetur në emisionin “E-Zone” nga gazetarja Rajmonda Lajthia, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, tha se qeveria po monitoron situatën dhe se ndërhyrjet do të varen nga ecuria e çmimeve.
“Unë mendoj që ne si politikë e përgjithshme duhet të përqendrohemi në rritjen e nivelit të të ardhurave dhe në reduktimin e çmimeve. Pra, duhet të ndërhyjmë me mekanizma të qëndrueshëm dhe kur ka dukuri të qëndrueshme. Inflacioni në këto vitet e fundit ka qenë i kontrolluar.
Pra, nuk jemi në kushtet që kemi një inflacion të rritur në mënyrë të pakontrolluar për shkak të një efekti të jashtëm, siç kemi qenë për shembull para tre-katër viteve, kur kishim krizën energjetike që të gjitha çmimet u ndikuan jashtëzakonisht shumë dhe ne na u desh të ndërhynim disa herë në subvencione për kategoritë në nevojë, me qëllim që të suportonim atë rritje të çmimeve, e cila e dinim që do të ishte e përkohshme.”
Ibrahimaj tha se gjatë këtij viti është konstatuar një rritje e çmimeve të karburanteve, por sipas saj kjo rritje nuk është transmetuar në të njëjtin nivel te çmimet e produkteve ushqimore. “Ne që kur filloi kriza në Lindjen e Mesme kemi bërë një monitorim të vazhdueshëm të çmimeve të konsumit dhe të çmimeve të karburanteve, me qëllim për të kuptuar tendencat dhe për të kapur tendencat në kohë”, deklaroi ministrja.


