Qeveria lëshon alarmin se Pacolli mund të ketë lënë peng Aeroportin e Vlorës tek Delphos (Dokumenti)

Qeveria shqiptare është vënë nën alarm pasi dyshon se biznesmeni Behgjet Pacolli mund t'i ketë ngarkuar detyrime të pakthyeshme Aeroportit të Vlorës nga marrëveshja e kredisë 100 milionë euro të lidhur me fondin Delphos.
Sipas një shkresë zyrtare të pak ditëve më parë të publikuar nga Kapitali, ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi vëren se Mabco ka paraqitur informacion të rremë pranë ministrisë në lidhje me detyrimet që i ngarkohen shoqërisë koncesionare të Aeroportit nga marrëveshja e kredisë me Delphos dhe amendimit që palët i kanë bërë asaj.
"Konstatohet se disa prej dispozitave të amendimit të marrëveshjes së huasë, nuk rezultojnë të jenë në përputhje me mënyrën se si kjo marrëveshje financimi është paraqitur nga Mabco Constructions S.A në korrenspondencën e saj të mëparshme me Autoritetin Kontraktues," i drejtohet Karakaçi kompanisë së Behgjet Pacollit.

Kreu i infrastrukturës nënvizon nenet e marrëveshjes së kredisë 100 milionë euro mes Mabcos së Pacollit dhe fondit Delphos, të cilat rrezikojnë të ngarkojnë detyrime mbi shoqërinë koncesionare Vlora International Airport dhe rrjedhimisht edhe vetë aeroportin.
"Dispozitat e Amendimit të Marrëveshjes së Huasë duket se parashikojnë elemente të ndryshëm nga sa është deklaruar në shkresat tuaja. Në veçanti, dispozitat përmbajnë detyrime konkrete për sigurimin e aderimit të VIA-s në dokumentacionin e financimit, për marrjen prej saj të statusit të Huamarrësit Pasues, për dorëzimin e dokumentacionit të VIA-s pranë huadhënësit si dhe për administrimin e llogarive operative dhe të ardhurave të projektit në përputhje me mekanizmat e përcaktuar në dokumentacionin e financimit," shkruan Karakaçi.

Marrëveshja e amenduar e kredisë 100 milionë euro që Mabco mori prej fondit Delphos parashikon se edhe në rast kundërshtimi nga ortaku i pakicës, pra 2A Group i Valon Ademit, vlefshmëria dhe zbatueshmëria e aderimit të VIA-s në marrëveshjen e huasë nuk do të cënohet.
"Vetë ekzistenca e këtyre dispozitave tregon qartë se aderimi i VIA-s nuk është konceptuar si një mundësi thjesht hipotetike dhe e papërcaktuar për të ardhmen, por si një element i parashikuar dhe i integruar në marrëveshjen e kredisë," vëren shkresa që Karakaçi i ka drejtuar Mabco-s.

Për këtë arsye, kreu i energjetikës thotë se kredia e marrë nga Delphos duhet analizuar në raport me detyrimet që rrjedhin nga Kontrata Koncesionare, Marrëveshja e Drejtëpërdrejtë, Kontrata e Kredisë si dhe kontratat e tjera që janë lidhur për financimin e projektit me Bankën Kombëtare Tregtare.
Por ministria e Infrastrukturës dyshon se Mabco e Pacollit mund të ketë fshehur informacione apo dokumenta të tjera. Ndaj Karakaçi i ka kërkuar shoqërisë të saktësojë nëse dokumentacioni që ajo ka përcjellë në ministrinë e Infrastrukturës për kredinë e marrë nga Delphos është i plotë, i saktë dhe i pandryshuar.
Po kështu, ministria kërkon të dijë nëse ekzistojnë marrëveshje, anekse apo dokumenta garancie për këtë kredi, të cilat nuk janë përcjellë në ministrinë e Infrastrukturës si dhe nëse Mabco ka ndërmarrë apo ka parashikuar të ndërmarrë veprime për futjen e VIA-s në marrëveshjen kredisë.
Derisa të shqyrtohet i gjithë ky informacion, qeveria i ka kërkuar Mabcos të mos ndërmarrë asnjë veprim.
"Deri në përfundimin e verifikimeve dhe sqarimeve të kërkuara, kërkojmë nga ana e shoqërisë Mabco Constructions S.A dhe nga shoqëria Koncesionare të mos ndërmerret asnjë veprim, nënshkrim apo ekzekutim i dokumenteve që lidhen me marrëveshjen e financimit ndërmjet Mabcos dhe Delphos Securities, pasi çdo veprim i tillë do të përbënte veprim të pavlefshëm dhe shkelje serioze të detyrimeve ligjore dhe kontraktore," paralajmëron Karakaçi.

Kjo është hera e parë që qeveria shqiptare shqetësot zyrtarisht se Mabco mund të ketë ngarkuar detyrime të pakthyeshme mbi Aeroportin e Vlorës, pavarësisht se ky denoncim ishtë bërë disa herë publikisht nga ortaku i minorancës, Valon Ademi, por edhe nga mediat.
Sipas shkresës së kreut të Infrastrukturës, qeveria ka gjetur dhe justifikimin për ndërhyrjen e vonuar, teksa shkruan se Mabco nuk e ka vnë plotësisht në dijeni për kredinë, por ka paraqitur dokumentacion jo të plotë dhe që nuk korrenspondon me ato që janë shkruajtur në marrëveshjen e kredisë./Kapitali


