Dua Lipa mbështet protestat antiqeveritare, flamingot bëhen pjesë e “Sunny Hill”

Showbiz

Dua Lipa mbështet protestat antiqeveritare, flamingot bëhen pjesë

Festivali “Sunny Hill”, i organizuar nga këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare Dua Lipa, do të rikthehet edhe këtë vit në Prishtinë. Aktiviteti do të zhvillohet nga 31 korriku deri më 2 gusht.

Ky edicion përkon me protestat masive antiqeveritare në Shqipëri, të cilat filluan në Zvërnec si një nismë mjedisore për mbrojtjen e natyrës.

Dua Lipa ishte shprehur më herët në favor të protestave gjatë një bisede në podkastin e shkrimtares Lea Ypi. Intervista e artistes pati jehonë edhe në mediat ndërkombëtare.

Në shenjë të një tjetër mbështetjeje të fuqishme për këtë kauzë, këngëtarja ka zgjedhur që në hyrje të festivalit të vendosen flamingot, simboli i protestave. Audienca e “Sunny Hill” zgjerohet nga viti në vit, ndërsa festivalit po i bashkohen gjithnjë e më shumë emra të njohur të skenës botërore.

Katy Perry kryeson listën e artistëve të këtij edicioni, ku do të marrin pjesë gjithashtu Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port dhe Rampa të Keinemusik, Seth Troxler, PAWSA dhe Carlita.

Festivali u themelua në vitin 2018 nga Dukagjin Lipa dhe promovohet ndërkombëtarisht nga vajza e tij, Dua Lipa. Çdo vit, “Sunny Hill” mbledh mbi 100,000 pjesëmarrës nga afro 60 vende.

ME TE LEXUARAT