Nga beteja me varësinë tek vdekja në rehabilitim, çfarë është terapia me ibogainë që përdori Presley Gerber?

Showbiz

Nga beteja me varësinë tek vdekja në rehabilitim,

Humbja e parakohshme e Presley Gerber, djalit të supermodeles së njohur botërore Cindy Crawford, në një moshë mjaft të re pas një beteje të gjatë me varësinë nga lëndët narkotike, ka tronditur opinionin publik. Ngjarja e rëndë solli sërish në vëmendje domosdoshmërinë e luftës kundër përdorimit të drogave, si dhe rëndësinë e ruajtjes së shëndetit mendor e fizik të të rinjve.

E ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan për të diskutuar mbi këtë tematikë, mjekja Suela Xhufi dha detaje shkencore mbi substancat dhe metodat e rehabilitimit që po përdoren së fundmi në botë, duke u ndalur veçanërisht te terapia “Ibogaina”.

Sipas të dhënave, Presley Gerber i ishte nënshtruar kësaj terapie alternative, ku përdoret një bimë afrikane, e cila aplikohet për të luftuar varësinë nga heroina, çrregullimet e traumave dhe problemet e shëndetit mendor.

“Ibogaina është një bimë, është një rrënjë shumë e lashtë, është një bimë afrikane. Ka ardhur në përdorim në mesin e shekullit të XX. Është psikedelike, le të themi, ose psikodelik, e cila është përdorur gjerësisht, jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në Meksikë është e legalizuar, për problemet e heroinës, të sëmundjeve nga çrregullimet e traumave dhe të përdorimit të substancave psikiatrike. Në qoftë se do shohim studimet, ka një 80 deri 90% të rekuperimeve pasi përdoret kjo terapi, sidomos për opiatet, sepse bën një ulje të varësisë, të dëshirës, që është një nga problemet kryesore që ka heroina. Megjithatë, unë e kam studiuar shumë sepse më ka pëlqyer si terapi për heroinën”, tha ajo.

Më tej, Xhufi sqaroi se kjo procedurë zgjat deri në 42 orë dhe kërkon kushte mjaft strikte monitorimi, pasi, përndryshe, mbart rreziqe të mëdha për jetën:

“Ibogaina zgjat si procedurë jo më shumë se 42 orë. Po ka parapërgatitje, dhe një pacient që të vihet në ibogainë, në 42 orë ai duhet të jetë patjetër i monitoruar, se e shikon si një film, si mund ta them. E shikon si një film për të kuptuar problemin real që ai ka, që e ka çuar në përdorimin e substancave, pra ai përballet me vetveten. Dhe që një pacient të bëjë këtë lloj terapie duhet të ketë një… zemrën duhet ta ketë mirë, sistemin respirator duhet ta ketë mirë. Dhe me sa lexova, ai ka qenë edhe me terapi për tensionin e lartë, pra ka pasur dhe probleme me tensionin e lartë. Dhe ndoshta dëshërimi që kanë pasur si familje e ka çuar nën efektin e kësaj terapie. Ndoshta ai nuk ka qenë kandidat për ibogainën, sepse ka një risk shumë të lartë”, u shpreh ajo.

Sipas ekspertes, metoda të kësaj natyre nuk aplikohen aktualisht në vendin tonë, ndonëse ajo e shikon me interes integrimin e mundshëm të tyre në të ardhmen.

“Unë do kisha dëshirë shumë që ta sillnim në të ardhmen. Kërkon licenca të caktuara dhe ne nuk jemi të trajnuar, sepse edhe në botë nuk trajnohesh, duhet të shkosh në Meksikë që të marrësh terapinë. Nuk është vetëm ajo, po ka edhe rituale të tjera, sepse ti duhet ta pranosh terapinë me ibogainë. Domethënë, nuk është vetëm ilaç, është mënyra se si trupi yt, shpirti yt, energjia jote përputhet me ibogainën që ti të gjesh rrugën për të dalë dhe të përballosh varësinë”, tha ajo.

ME TE LEXUARAT