Identiteti yt nuk është një trend: Si algoritmi krijon identitetin tonë

Soft

Identiteti yt nuk është një trend: Si algoritmi krijon

Për vite me radhë, mënyra se si njerëzit e eksploronin apo gjenin veten lidhej me eksplorimin, përmes përvojave të reja, bisedave, mendimeve, gabimeve dhe zbulimeve të vogla personale. Për disa, ky proces mund të zgjasë gjithë jetën, ndërsa për të tjerë vetë rrugëtimi i kërkimit është pjesa më interesante.

Por rrjetet sociale kanë sjellë një mënyrë tjetër për ta krijuar identitetin. Instagrami dhe TikToku shpesh e paraqesin “gjetjen e vetes” si diçka që mund të zgjidhet nga një listë estetikash të gatshme.

Dëshiron të jesh “Clean Girl”? Mjafton një gotë matcha, një rutinë kujdesi për veten dhe flokët e kapura thjesht. “Coastal Grandma”? Fustane me frymë vintage, shëtitje në plazh dhe një stil që duket i rastësishëm, por është i mirëmenduar. “Quiet luxury”? Tonet bezhë, minimalizëm dhe një pamje që reflekton luks edhe kur nuk ka domosdoshmërisht diçka të tillë.

Bashkë me estetikën vjen edhe një paketë e tërë, mënyra e të veshurit, zakonet, ushqimet, aktivitetet dhe madje mënyra e të menduarit.

Problemi është se njerëzit nuk janë kaq të thjeshtë sa një kategori online. Një person mund të pëlqejë palestrën, por edhe të kalojë net pa gjumë duke parë filma. Mund të lexojë libra klasikë, por të dëgjojë muzikë që nuk lidhet me asnjë “trend”. Mund të kujdeset për veten dhe njëkohësisht të ketë ditë kaotike.

Megjithatë, algoritmi kërkon të na vendosë në kuti. Ai preferon modele të qarta: kush je, çfarë konsumon, çfarë të pëlqen. Sa më shumë shikon një përmbajtje, aq më shumë të shfaqet, dhe me kalimin e kohës mund të fillosh të ngatërrosh familiaritetin me pëlqimin.

Një trend që në fillim të dukej i çuditshëm mund të të duket normal pas disa javësh ekspozimi. Jo domosdoshmërisht sepse ka ndryshuar shija jote, por sepse truri është mësuar me të.

Të pëlqesh diçka nuk do të thotë se duhet të përputhesh me një personazh të caktuar. Vajza që vrapon çdo mëngjes sepse ndihet mirë nuk është e njëjtë me dikë që vrapon vetëm sepse dëshiron të hyjë në “epokën e saj të fitnesit” sipas një trendi online. Njëra vjen nga dëshira personale, tjetra nga një rol që po interpretohet.

Shija personale nuk është një estetikë. Nuk është një filtër, një stil i përkohshëm apo një listë produktesh që duhet të blesh. Ajo ndërtohet ngadalë nga përvojat, kujtimet, njerëzit që takon dhe gjërat që të prekin realisht.

Ndoshta pyetja më interesante sot është: A të pëlqen vërtet diçka, apo thjesht të pëlqen ideja e personit që bëhesh kur e pëlqen atë?

Të shkosh në një kinema për një film që të intereson, të hysh në një librari dhe të zgjedhësh diçka pa parë listat “çfarë duhet të lexosh”, të dëgjosh një këngë që të flet edhe nëse nuk i përket asnjë komuniteti online, këto janë mënyra të vogla për t’u kthyer te vetja.

Sepse algoritmi do një version të thjeshtë tëndin. Por njerëzit janë shumë më kompleksë se kaq. Dhe pikërisht kjo përzierje kontradiktash, interesash dhe zgjedhjesh të papritura është ajo që krijon një identitet të vërtetë.

Ndaj, nëse ndonjëherë ndihesh në faj sepse nuk përputhesh me algoritmin tënd, kujto që je shumë më shumë se një hashtag.

ME TE LEXUARAT