Ja se si mungesa e gjumit dëmton neuronet e trurit tonë, sipas një studimi të ri

Një studim i kryer nga studiues në Universitetin e Camerinos në Itali ofron prova të reja dhe shqetësuese se si mungesa e gjumit mund të ndikojë drejtpërdrejt në funksionimin e trurit, duke dëmtuar izolimin yndyror që mbron neuronet dhe është thelbësor për funksionimin e duhur mendor.
Hulumtimi përqendrohet në oligodendrocitet, qeliza në sistemin nervor që menaxhojnë kolesterolin, një përbërës kyç i membranave mbrojtëse të njohura si mielinë. Siç vërejnë studiuesit, ndërprerja e funksionit të këtyre qelizave për shkak të mungesës së gjumit çon në dobësimin e mielinës, ngadalësimin e përçueshmërisë nervore dhe probleme të matshme të sjelljes.
“Ky studim nxjerr në pah oligodendrocitet si ndërmjetës kryesorë, duke lidhur privimin nga gjumi me integritetin e reduktuar të mielinës, transmetimin më të ngadaltë të sinjalit nervor dhe çrregullimet e sjelljes”, raportojnë autorët në studimin e botuar në revistën shkencore PNAS.
Kur mielina dobësohet
Në fazën e parë të studimit, ekipi analizoi skanimet me rezonancë magnetike (MRI) të trurit të 185 vullnetarëve të shëndetshëm, raporton Science Alert. Rezultatet konfirmuan provat e mëparshme se integriteti i lëndës së bardhë cerebrale bie kur pjesëmarrësit raportojnë cilësi të dobët të gjumit.

Studiuesit më pas kryen eksperimente në kafshë. Minjtë e privuar nga gjumi për dhjetë ditë rresht nuk treguan ndryshime në madhësinë e fibrave të tyre nervore, por mielina rreth aksoneve – fijet që përçojnë impulse elektrike larg trupit qelizor të neuronit – ishte dukshëm më e hollë sesa tek kafshët që flinin normalisht. Për më tepër, testet treguan se komunikimi midis rajoneve specifike të trurit u ngadalësua me rreth një të tretën dhe se sinkronizimi i aktivitetit të trurit ishte gjithashtu i dëmtuar.
Aksonet janë rrugët kryesore të komunikimit midis neuroneve. Hollimi i mielinës, për shkak të pagjumësisë, ngadalëson këtë komunikim, duke rritur rrezikun e lodhjes mendore dhe mjegullës së trurit. Këto fenomene u vunë re edhe në testet e kujtesës dhe ushtrimeve të kryera tek kafshët.
Mosfunksionimi i kolesterolit
Analiza gjenetike zbuloi se oligodendrocitet e kafshëve të privuara nga gjumi nuk e trajtonin më kolesterolin në mënyrë aq efikase.
“Gjetjet tona nxjerrin në pah rolin e mundshëm të mosfunksionimit të kolesterolit të oligodendrociteve në çrregullimet e sjelljes të shoqëruara me humbjen e gjumit dhe zbulojnë një objektiv të ri për ndërhyrje”, shkruajnë studiuesit.
Për të konfirmuar gjetjet e tyre, ata i dhanë minjve ilaçin ciklodekstrinë, i cili rikthen transportin e kolesterolit. Kjo ndërhyrje çoi në përmirësime në performancën motorike dhe kujtesën, duke forcuar hipotezën se prishja e mielinës ishte me të vërtetë faktori kritik.
“Një sfidë e shëndetit publik”
Shkencëtarët theksojnë se shumica e hulumtimeve janë bazuar në modele shtazore dhe se nevojiten studime të mëtejshme njerëzore. Megjithatë, të dhënat ofrojnë një shpjegim bindës se si mungesa kronike e gjumit mund të na bëjë mendërisht të ngadaltë dhe më pak efikasë.
Në planin afatgjatë, gjetjet mund të kontribuojnë në zhvillimin e trajtimeve që kufizojnë efektet e pagjumësisë kronike, një gjendje e lidhur me një sërë problemesh shëndetësore. Siç përfundojnë studiuesit, “incidenca në rritje e mungesës së gjumit përbën një sfidë serioze të shëndetit publik”, me manifestime të tilla si ulja e vigjilencës, koha më e ngadaltë e reagimit dhe rritja e gabimeve që janë pasoja të dokumentuara mirë të humbjes së gjumit/CNN


