Meta ‘tundon’ përdoruesit e TikTok dhe Youtube, ofron 3 mijë dollarë në muaj për të postuar në Facebook

3 mijë dollarë është vërtet një shumë e konsiderueshme parash. Por mund ta përfitosh vetëm nëse ke grumbulluar mbi një milion ndjekës në platforma të tjera sociale të fokusuara te video, si Instagrami, TikTok ose YouTube.
Do të duhet gjithashtu të provosh se një milion përdorues të ndjekin dhe të publikosh të paktën 15 “reels”, ose video të shkurtra, në muaj. Përdoruesit e regjistruar në këtë program mund të fitojnë 1,000 dollarë në muaj nëse kanë të paktën 100,000 ndjekës në Instagram, TikTok ose YouTube.
Kjo ofertë është pjesë e programit të ri të Facebook-ut “Creator Fast Track” për “krijues të afirmuar që janë të rinj në Facebook ose po e zbulojnë atë”, i cili aktualisht është i disponueshëm vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
“Kemi dëgjuar nga përdorues që kanë ndërtuar audiencë në platforma të tjera se sa sfiduese mund të jetë të fillosh nga e para në Facebook, ndaj po prezantojmë programin Creator Fast Track për ta thjeshtuar dhe përshpejtuar fillimin e tyre,” tha Facebook në një njoftim për shtyp. Sipas rrjetit social, krijuesit në program do të përfitojnë rritje të shtrirjes për videot për të ndihmuar në rritjen më të shpejtë të ndjekësve dhe tre muaj pagesë të garantuar për shpërndarjen e tyre në Facebook.
Kjo lëvizje duket e dëshpëruar, por nuk është pa logjikë: Facebook-ut thjesht i duhet të bëjë diçka, pasi po mbetet ndjeshëm pas platformave rivale, veçanërisht TikTok-ut. Për më tepër, videot tani kanë një vlerë shumë të lartë për ata që merren me analizat financiare.
Kjo sepse videot e shkurtra janë formati i përmbajtjes që po rritet më shpejt, duke gjeneruar më shumë angazhim, duke lejuar monetizim më të mirë përmes reklamave dhe duke rritur dukshmërinë për krijuesit.
Problemi është se për të rinjtë, Facebook-u duket “i vjetër”, dhe kështu ka qenë prej vitesh. Platforma është më e përhapur te personat mbi 35 vjeç: përdoruesit më të rinj thjesht e konsiderojnë atë “të vdekur”.
Kështu, edhe nëse krijuesit pranojnë paratë e Meta dhe fillojnë të postojnë rregullisht në Facebook, ndjekësit e tyre nuk do t’i ndjekin domosdoshmërisht. Nëse përmbajtja është e ngjashme, pse të shqetësohen?
Për më tepër, siç e shpjegoi Jordan Schwarzenberger, menaxher i krijuesve të përmbajtjes të quajtur The Sidemen, për BBC-në, 3,000 dollarë në muaj për 15 reels do të thotë rreth 200 dollarë për video. Për disa krijues, kjo nuk do të mbulonte as kostot e prodhimit./Cybernews


