Misioni historik/ NASA rikthen astronautët rreth Hënës më 6 mars

Soft

Misioni historik/ NASA rikthen astronautët rreth Hënës më 6

NASA ka caktuar datën 6 mars si afatin e synuar për nisjen e misionit Artemis II, duke shënuar rikthimin e njerëzimit në orbitën e Hënës për herë të parë pas më shumë se pesë dekadash.

Katër astronautë do të ndërmarrin një udhëtim 10-ditor rreth anës së largët të Hënës dhe do të kthehen në Tokë, në një mision që konsiderohet si hapi i radhës drejt një uljeje të ardhshme në sipërfaqen hënore.

Misioni do të përbëjë udhëtimin më të largët në hapësirë të realizuar ndonjëherë nga astronautë. Fluturimi rreth anës së padukshme të Hënës do të testojë sistemet e kapsulës dhe të raketës në kushte reale, duke hapur rrugën për misionet e ardhshme të programit Artemis, që synojnë rikthimin e njeriut në Hënë dhe më pas eksplorimin e Marsit.

Artemis II do të jetë misioni i parë me ekuipazh në kuadër të këtij programi, pas fluturimit testues pa astronautë të Artemis I.

Vendimi për datën e nisjes erdhi pas një “wet dress rehearsal” të suksesshëm një test kritik para lëshimit, gjatë të cilit raketa furnizohet me karburant dhe kalon përmes gjithë procedurës së numërimit mbrapsht.

Ky ishte tentimi i dytë i ekipit Artemis për këtë provë në Qendrën Hapësinore Kennedy në Florida. Suksesi i testit konsiderohet një hap kyç drejt gatishmërisë operacionale të misionit.

Programi Artemis synon jo vetëm rikthimin simbolik në Hënë, por edhe krijimin e një pranie të qëndrueshme atje. Misioni i ardhshëm me ulje në sipërfaqe do të mbështetet drejtpërdrejt në të dhënat dhe përvojën e Artemis II.

Pas epokës së misioneve Apollo në vitet ’60 dhe ’70, ky zhvillim shënon një kapitull të ri në garën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për eksplorimin e hapësirës së thellë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin./NOA

ME TE LEXUARAT