Paralajmërim për rikthimin e mundshëm të El Niño: Marsi i dytë më i ngrohtë në Evropë

Soft

Paralajmërim për rikthimin e mundshëm të El Niño:

Po bien kambanat e alarmit për temperaturat e oqeaneve që po i afrohen niveleve historike, ndërsa Europa ka regjistruar muajin mars të dytë më të nxehtë ndonjëherë. Fenomeni El Niño dhe rikthimi i tij janë tani të mundshëm, sipas të dhënave të regjistruara nga Copernicus.

Sipas buletinit mujor të projektit evropian Copernicus, temperatura e oqeaneve muajin e kaluar arriti nivele pothuajse rekord, një sinjal i rikthimit të mundshëm të fenomenit natyror të ngrohjes, El Niño, i cili i shtohet ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.

Pas tre prej viteve më të nxehta të regjistruara ndonjëherë në Tokë, rikthimi gjithnjë e më i mundshëm i El Niño në gjysmën e dytë të vitit po shqetëson klimatologët, të cilët kanë frikë se njerëzimi po shkon drejt temperaturave të reja ekstreme.

Në mars, temperatura e sipërfaqes së oqeanit arriti në 20,97°C (duke përjashtuar rajonet polare), vetëm 0,1 gradë më pak se rekordi i vendosur në mars 2024. Sipas të dhënave të Copernicus, mesatarja vazhdon të rritet edhe në prill.

Ngjarja më e fundit e El Niño, e ndodhur në vitet 2023 dhe 2024, i bëri këto dy vite më të nxehtat e regjistruara ndonjëherë. Ky fenomen ciklik përfaqëson një rritje periodike dhe në shkallë të gjerë të temperaturës së ujit në një pjesë të Oqeanit Paqësor, e cila ndikon në klimën globale përmes një reaksioni zinxhir për disa muaj.

Sipas Copernicus, temperaturat e oqeaneve “janë një tregues i një kalimi të mundshëm drejt kushteve të El Niño”.

Organizata Botërore Meteorologjike (OMM) e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar tashmë se rikthimi i tij është i mundshëm këtë vit, pasi fenomeni i kundërt, La Niña, i lidhur me temperatura më të ftohta, po dobësohet. Në fillim të marsit, OMM vlerësoi se probabiliteti i shfaqjes së tij deri në korrik ishte 40%.

Presione “gjithnjë e më të forta”

Pothuajse e gjithë Europa – kontinenti që po ngrohet më shpejt – ka regjistruar temperatura mbi mesataren sezonale, veçanërisht vendet e Evropës veriore, shtetet baltike dhe Rusia veriperëndimore.

Muaji u karakterizua gjithashtu nga një valë e hershme dhe “e paprecedentë” e të nxehtit në perëndim të Shteteve të Bashkuara, ku temperaturat kaluan 40°C dhe arritën deri në 44°C në disa zona.

Sipas të dhënave të Copernicus, muaji i kaluar ishte marsi i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Europë.

Në nivel global, marsi ishte muaji i katërt më i nxehtë i regjistruar, me një temperaturë mesatare prej 13,94°C. Këto të dhëna tregojnë se kjo është 1,48°C mbi mesataren e periudhës paraindustriale (1850–1900) dhe 0,53°C mbi mesataren e marsit për periudhën 1991–2020.

Sipas Copernicus, trendi i temperaturave ekstreme ka vazhduar. Marsi më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë mbetet ai i vitit 2024.

“Të dhënat e Copernicus për marsin 2026 na japin shumë për të reflektuar,” tha Carlo Buondebo, përgjegjës i shërbimit për ndryshimet klimatike në observatorin Copernicus.
“Çdo e dhënë më vete është e rëndësishme, por së bashku ato na japin një pasqyrë të një sistemi klimatik nën presione të vazhdueshme dhe gjithnjë e më intensive,” shtoi ai.

ME TE LEXUARAT